Zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi që ka marrë detyrën e kryetarit të PS në Fier e ka marrë seriozisht punën për të mbledhur votat në të ashtuquajturin “hambarin” e PS.
Mbrëmjen e djeshme, u mblodhën në takim gjithë drejtuesit e Organizatave socialiste që duhet të dalin në popull për të mbledhur votat, dhe sic duket, lufta e PS në Fier nuk është me PD, por me LSI, në mënyrë që votat e majta të mblidhen në një shportë.
Petro Koçi hodhi akuza të ashpra ndaj LSI dhe thirri në ndihmë edhe emrin e liderit historic të së majtës Fatos Nano.
“Këta të LSI janë ballistët e së majtës. Bashkëpunojnë hapur me PD. Edhe kur ishin brenda PS, bashkëpunonin fshehurazi me Saliun.
Ndërsa Nano ishte në burg, u thoshin të huajve që ai vinte nga Instituti i Marksizëm Leninizmit” tha Petro Koci përballë socialistëve.
Duke u ndalur te emri i Ilir Metës, Koçi thotë se ka dalë nga korniza presidenciale.
“Meta me sjelljen e tij antipresidenciale, nuk i sjell ndonjë dëm interesave elektorale të PS.
Por fanatizmi i tij partiak dhe lajthitjet, dëmtojnë kulturën institucionale dhe ndërgjegjen shtetërore të shoqërisë”, tha Koci.
Në qarkun e Fierit do të dalin 16 deputetë. PS kërkon që në këtë qark të arrijë të marrë 10 deputetë si një objektiv elektoral për të arritur një mandat të tretë.


