Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar 7 vite pas arratisjes nga burgu i Patras në Greqi.
35-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije u arratis nga burgu në vitin 2012, pasi vuante dënimin për vjedhje, ndërsa ishte dënuar 12 vite burgim.
Sipas mediave greke, i arratisuri nga burgu i Patras ishte një nga dy autorët e grabitjes me armë në një degë të Bankës 3 ditë më parë në Parga.
Arrestimi i tij u bë i mundur nga vëzhgimi i një oficeri të policisë OPKE Preveza, i cili ishte jashtë shërbimit, por, kishte kapur pamjet nga qarku i mbyllur i Bankës.
Në shtëpinë e shqiptarit policia gjeti një pjesë të parave të sekuestruara nga banka, një armë dhe një identitet të rremë të autoriteteve italiane. Konkretisht, nga 26.630 euro dhe 200 dollarë të rrëmbyera nga dy hajdutët e bankave u gjetën në shtëpinë e 35-vjeçarit, 8,240 euro dhe 100 dollarë.
35-vjeçari shqiptar do përballet me një dënim deri në 19 vite për grabitje, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera.


