Ka përfunduar në prangat e policisë britanike, autori i dy vrasjeve në Burrel më shumë se 20 vite më parë.
Gentian Doda mësohet se është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare ndërsa pritet të kryhen edhe procedurat e ekstradimit në drejtim të Shqipërisë. Ai është dënuar me 20 vite burg për dy vrasje në vitin 1997.
Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.
Në vitin 2017, Doda u lirua nga qelitë e paraburgimin, lirim që çoi pas hekurave gjyqtarin Shkëlqim Miri, i cili akuzohej për marrjen e një shume të konsiderueshme parash për ndryshimin e akuzës nga vrasje në plagosje të rëndë.
Gentian Doda pas një ‘odiseje’ të tërë seancash, nga 20 vjet të dhëna fillimisht u dënua me 7 vite burg pas ekstradimit nga SHBA-ja në një rigjykim të çështjes fillimisht nga Gjykata e Matit dhe më pas nga Gjykata e Apelit në Tiranë, që erdhi si pasojë e ndryshimit të akuzës nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen.


