Zbardhet udhëzimi me datat dhe procedurën e aplikimit e regjistrimit në universitete. Ministria e Arsimit ka hartuar dokumentin, në të cilin parashikohen pesë ditë afat për plotësimin e formularit A2, ndërsa do të duhen më shumë se tri javë për përpunimin e të dhënave që shpallin fituesit e raundit të parë.
Edhe këtë vit, fituesit do të regjistrohen në faza 48-orëshe deri në plotë- simin e kuotave. E tërë procedura, e ngjashme me vitin e kaluar, përfshin të drejtën për të ankimuar rezultatin, ashtu si edhe çregjistrimin në rast se fituesit ndryshojnë mendje.
APLIKIMI ME A2
Të gjithë maturantët që përfundojnë me sukses vitin shkollor, me një notë mesatare të barabartë ose më të lartë se nota 6, nuk rezultojnë të regjistruar në ndonjë program tjetër studimi dhe plotësojnë kriteret e universiteteve, për të cilat do të garojnë, mund të plotësojnë formularin e aplikimit në portalin U-Albania, nga data 30 korrik deri më 4 gusht. Kusht për aplikimin është pagesa e tarifës së aplikimit nga data 5 qershor deri më 15 korrik. Plotësimi i formularit ku kandidatët rendisin dhjetë preferenca në publik e privat, bëhet në çdo mjedis ku ka internet.
Për këtë, Qendra e Shërbimeve Arsimore do të vijë në ndihmë duke publikuar udhëzuesin teknik që shpjegon procesin hap pas hapi. Por përgjegjësi për këtë kanë dhe drejtoritë apo zonat arsimore, të cilat duhet të krijojnë kushte duke ofruar ndihmë, qoftë në burim njerëzor, ashtu edhe në mjedisin e duhur.
Për degët me konkurs, dokumenti i MAS i udhëzon që të zhvillohen nga data 11- 22 gusht, me qëllim që deri në fundin e muajit, Qendra e Shërbimeve Arsimore të ketë analizuar të dhënat e të gjithë aplikuesve për t’ua nisur universiteteve që të shpallin fituesit. “Brenda datës 28 gusht 2018, të gjitha IAL-të, duke përfshirë edhe ato që zhvillojnë konkurse/testime, afishojnë dhe publikojnë listat e renditjes së aplikantëve, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID e tyre, në mënyrë që të respektohen përcaktimet e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale”, përcaktohet në udhë- zimin e ministrisë.
PROCEDURA E REGJISTRIMIT
E nesërmja pas shpalljes së listës zyrtare, më 29 gusht, është për të pakënaqurit që duan të ankimojnë rezultatin, me pretendimin që kanë më shumë pikë. Ndërsa një ditë më vonë nisin regjistrimet në fakultete, kryesisht ata që janë pa ekuivoke, që kanë fituar preferencën e parë. Për raundin e parë janë caktuar 7 faza 48-orëshe, ku çdo kandidat ndjek personalisht procesin e lëvizjes së vizës së kuqe për programet që ka përzgjedhur. Ata që fitojnë disa degë, por jo të preferuarën, humbasin të drejtën e regjistrimit në programet ku u shpallën fitues.
Në rast se pas çdo faze konstatohen kuota bosh, zhvendoset vija e kuqe aq herë sa ç’janë vendet e paplotësuara. Udhëzimi përfshin edhe rastet kur pas zhvendosjes së vizës nuk ka më aplikantë në pritje. “Do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues në fazat paraardhëse, të cilët nuk rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi. Rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes së aplikantëve për raundin e parë”.
Për ata që ndryshojnë mendje pasi kanë kryer regjistrimin, kanë të drejtë ta zhbëjnë atë me një kërkesë të posaçme, por vetëm në datën 13 shtator. Kuota e tyre bashkë me të tjerat do të jenë në dispozicion të garuesve në raundin e dytë, aplikimi për të cilat nis në 15 shtator e pas dhjetë ditësh shpallen fituesit.


