Vrasja e Kastriot Reçit në Rrëshen është etiketuar si spektakolare për shkak se u krye me snajper nga një distancë prej 200 metrash. Snajperisti nga kati i 9-të i pallatit qëlloi me një plumb të vetëm 47 vjeçarin në bulevardin e qytetit. Madje goditi pa shkaktuar asnjë pasojë, sepse shenjestra e tij ishte në shoqërinë e një gruaje dhe një fëmije të mitur kur u shemb në tokë.
Gazetari Artan Hoxha i ftuar sonte në emisionin “Provokacija” tha se kjo është vrasje jo vetëm spektakolare, por edhe me kosto të lartë. Sipas tij një vrasje të tillë mund ta porosisë një organizatë e krimit të organizuar.
“Niveli i krimit varet nga kostoja. Në vrasjen e Rrëshenit është zbuluar një snajper. Po kështu nga hetimet ka dalë se snajperisti hyn me tuta dhe del si femer. Qendron 5 orë në pritje dhe sapo sheh objektivin para një gruaje dhe një fëmije qëllon në shenjë. Tani nuk po flasim për vrasjen e Kasem Sulejmani me dron nga SHBA-të, po flasim për një vrasje në Rrëshen që është sa “një tepsi”. Prandaj them se kjo është një vrasje me kosto që mund të ketë kushtuar së paku 100 mijë euro. Ai (ata) që e kanë porositur sigurisht kanë para të ardhura nga krimi. Vrasje të këtij niveli mund të bëhen nga krimi i organizuar, i drogërave të forta ndaj dhe është vështirë të zbulohen”, u shpreh Artan Hoxha.