Fshati Dushnik i Beratit në zi! Sot do të përcillen për në banesën e fundit 3 viktimat që humbën jetën dje në një pus. Gazetarja Eneida Petova raporton për “BalkanWeb” se Kamber Hoxha, 75 vjeç, Neim Hoxha, 46 vjeç si dhe Gentjan Golashi, 45 vjeç (Njëri prej viktimave Kamberin e kishte xhaxha, e tjetri daje) do të varrosen sot në orën 14:00 pranë varrezave të fshatit të tyre, në një ceremoni të diktuar nga rregullat për shkak të koronavirusit. Pa shumë pjesëmarrës, në distancë, familjarët e ngushtë të viktimave do i japin sot lamtumirën të dashurve të tyre, ndonëse jo ashtu siç është mësuar në zakone shqiptari.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 7:20 të mëngjesit, në oborrin e banesë së Kamber Hoxhës. Ky i fundit kishte hyrë të pastronte pusin që kishte në oborr, ndërsa ai ishte i mbyllur prej kohësh. Por në tentativa për ta pastruar, ai u bllokuar brenda, ndërsa nipi i tij, Gentiani hyri i pari që ta shpëtonte, por në pamundësi, u asfiksua edhe vet.
Pasi u njoftua për ngjarjen, ndërhyri edhe Neimi, i cili po ashtu për fat të keq mbeti i bllokuar. Ndonëse familjarët dhe fqinjët tentuan t’i nxirrnin me litarë apo mjete rrethanore, e patën shumë të vështirë. Pasi sinjalizuan forcat zjarrfikëse dhe policinë, ato shkuan në vendin e ngjarjes, ndërsa bënë të mundur nxjerrjen e tyre nga pusi. Ndonëse ata u dërguan në spital, i moshuari bashkë me dy nipat ndërruan jetë.


