Nëse këta shqiptarë ia kanë dalë të jenë akoma gjallë, gjithçka është e përballueshme. Dje në Facebook u diskutua vetëvrasja, një temë që ngjalli shumë reagime kundra. Ka mbetur një çështje tabu, edhe pse shumë shqiptarë e kanë përjetuar depresionin dhe ishin të gatshëm të ndanin me të tjerët përvojat e tyre të vështira, që i shtynë të mendonin apo të tentonin vetëvrasjen.
Dashuria sigurisht, por edhe zhgënjime të tjera i shkaktuan atyre mosbesim tek njerëzit, ndjesi boshllëku dhe humbje të motivimit për të jetuar.
Letërshkruesja e mëposhtme s’është më e njëjta që kur mësoi se burri me të cilin ishte në lidhje prej 2 vitesh, ishte i martuar dhe jetonte me familjen në një qytet tjetër. Nuk ka ditë që s’e mendon të vrasë veten, por s’e bën sepse mendon për të ëmën, që jeton në kushte të mjerueshme.
- “Unë kam dy muaj që dua të vetëvritem. Madje, përditë mendoj vetëvrasjen. Jam një vajzë 22 vjeç dhe kisha një lidhje 2-vjeçare. Para ca kohësh mora vesh që ai ishte i martuar dhe më kishte mashtruar. Jetonte në një qytet tjetër dhe unë nuk dija asgjë. I dhashë fund në momentin që e mora vesh, por nuk ka ditë që nuk e mendoj si të vetëvritem. Nuk ka natë të fle pa qarë derisa të më zërë gjumi. Kam humbur dëshirën për të jetuar. Gjatë gjithë ditës e mbaj mendjen tek ai. Mendoj t’i shkaktoj vetes bulimi, apo të nis drogën dhe të vdes nga overdoza. Jam rritur në një familje të varfër dhe mendoj vetëm për dhembjen që do t’i shkaktoj nënës sime e cila është e sëmurë me ilaçe. Dua ndihmë, por jetoj në një qytet të vogël dhe nuk ka psikologe. Ju lutem më ndihmoni, më rekomandoni diçka se çdo ditë po vdes pak nga pak.”
Është e vështirë të jetosh me zemër të thyer. Ajo që më parë njihej si “maraz”, është në fakt depresion pas ndarjes, si pasojë e humbjes së besimit tek njerëzit.
- “Depresioni? Tashmë është bashkudhëtar në jetën time, kurse vetëvrasjen e kam menduar më shumë se 100 herë në ditë, gjithë kohës. Në fakt, nuk kam folur për këtë me askënd e të gjithë mendojnë se unë kam një jetë perfekte dhe s’më mungon asgjë. Por ja që jo, në fakt nuk e kisha menduar kurrë që dashuria mund të më çonte në këtë pikë, në fakt nuk kam besuar ndonjëherë në dashuri, aq më pak tani. Nga një martesë e dështuar mu desh të rrisja një fëmijë e 4 vite më vonë pata fatin e keq të bija në dashuri si e çmendur. Ai ishte ajri im, fillova të mendoj që deri atëherë nuk kisha jetuar e më në fund po ndihesha e plotësuar. Ai thoshte që më donte më shumë. Një ditë më thotë që me mua aq, nuk mund të kishte më tepër. E kishte vendosur të fejohej me dikë që i kishte gjetur familja. 15 vite më e re dhe mbi të gjitha e virgjër. E gjithë bota m’u shemb para syve. Nuk kisha më fuqi aq të ngrihesha nga krevati, lashë punën e gjithçka. Kalova depresion, tentova të pi helm por nuk munda. Fëmija im kishte nevojë për mua e nuk mund ta lija vetëm për një njeri që s’ia vlente më. Tashmë ka kaluar një vit, akoma nuk e kam marrë veten, por nuk besoj më në asgjë.”
Megjithatë, kjo nënë që ka humbur të birin thotë se asgjë s’krahasohet me dhembjen e humbjes së fëmijës së saj të vetëm. Aq herë ka tentuar t’i japë fund jetës e të shkojë tek ai, por ka shpëtuar dhe tani, thotë se çfarëdo të ndodhë nuk duhet të heqim dorë nga jeta.
- “Rrita fëmijën e vetëm dhe e humba në një aksident. Vallë a kisha motiv më për jetën? Thonë që jeta është e bukur, por mua m’u shndërrua në makthin më të keq. Ballkoni i ka parë shumë dhembje. Karriget e mia më kanë patur shumë herë lart, duke tentuar mënyrat më të tmerrshme të shkoja pranë fëmijës tim të humbur. Unë s’e doja jetën, vazhdoj të mos e dua. Por fëmijën tim vallë, kush do ta kujtonte nëse unë do të ikja? Vendosa të kurohem dhe për tre vite kam qenë me ilaçe. Sot mendoj se jam më mirë mendërisht. Edhe pse po jetoj, pa jetë. Jeta ime ishte fëmija im i vetëm. Më besoni, në ato ditë të errëta të depresionit e dhembjes sime të gjithë më thonin kjo u çmend. Unë nuk isha e çmendur. Isha thjesht një nënë që i plasi zemra. Një nënë që s’kisha asnjë mision për të bërë. Mos mendoni vrasjen. Mos lëndoni veten. Askush nuk ua qan hallin. Të gjithë të shikojnë sikur ke sëmundje ngjitëse. Bëhuni zot të vetes. Këshillohuni me një psikolog. Mos e lini zemrën t’ju plasë. Ulërisni me të madhe. Qani sa të keni fuqi. Nxirreni të keqen nga shpirti që të jetoni. Unë s’kam jetë. Por jeta për ju është e bukur, sidomos për rininë.”
E abuzuar nga kushëriri. Kjo 11-vjeçare u përplas me abuzimin dhe frikën ndaj paragjykimit kur ishte vetëm 10 vjeçe. Ndërsa ai është rritur, martuar dhe ka fëmijë, ajo s’mund ta shlyejë atë që i ka lënë abuzimi seksual nga një njeri i familjes.
- “S’isha më shumë se 10 vjeçe kur çuni i hallës sime, 11 vite më i madh se unë, abuzoi me mua. Pas asaj kisha frikë të shikohesha në pasqyrë. Kam dy prindër të mrekullueshëm dhe sa herë i shikoja vetëm qaja. Disa muaj pas ndodhisë mora vesh që ekzistonte një term: virgjëria- dhe vajzat që nuk e kishin nuk ishin të ndershme, ishin turpi i familjes. Bota ime u shemb dhe pikërisht atëherë tentova të vrisja veten duke pirë të gjitha ilaçet e zemrës së mamit. Por fatkeqësisht, motra erdhi më shpejt se ç’mendoja, njoftoi prindërit, më çuan në spital dhe shpëtova. Gjithmonë kur më pyesnin përse e kisha bërë, u thoja se ishte padashje e gjëra të tilla. Tani jam në universitet dhe kam marrë në dorë drejtimin e jetës dhe kam vendosur të mos kem kurrë lidhje me njeri, sepse nuk dua që imazhi i prindërve të mi të prishet prej meje. Sa për atë… ai është martuar, ka fëmijë, por jetën e një fëmije, jetën time, e shkatërroi.”
Për bulizmin flitet shumë. Thuhet se shkakton shformime të imazhit që ke mbi veten, pasiguri, mosbesim dhe mund të sjelle edhe çrregullime personaliteti, nëse të prek në një moshë shumë të re. Kjo vajzë është rritur duke qenë e tallur për shkak se, siç tregon, ishte “shumë e varfër për të qenë në nivelin e tyre”.
- “Unë kam rënë pre e depresionit si pasojë e bulizmit. Arsyeja që më vinin në lojë është fakti që isha e varfër për të qenë në nivelin e tyre. Di të them që edhe fëmijët dinë të jenë djaj me fytyrë ëngjëlli. Por unë të gjithë këtë nuk e shprehja kurrë, as në familje për të mos i bërë ata të ndihen keq për pamundësinë e tyre, megjithëse u jam mirënjohëse që më dhanë gjithçka patën. Kur je fëmijë (13-14 vjeç) mendon që shoqëria e ambienti i shkollës është bota dhe ndikohesh shumë nga ata. Pavarësisht se isha një vajzë e fortë, e sjellshme e që mësoja, rashë në atë pus të errët ku nuk ke më kontroll mbi veten dhe kryen një gabim që s’ia fal dot vetes edhe sot e kësaj dite. Fatmirësisht ai mendim i errët mbeti në tentativë e cila nuk solli pasoja për shëndetin tim, por më bëri të ndryshoj. Të bëhem njeri më i fortë me vullnet të hekurt për të arritur këtu ku jam sot por mbi të gjitha më bëri njeri të ftohtë e mosbesues. Depresionin s’është e lehtë ta dallosh, sepse njeriu di të kamuflohet më së miri. Depresionin mund ta dallosh tek sytë dhe duke biseduar me atë person. Duke u përpjekur ta kuptosh dhembjen a shqetësimin që ndjen.”
Depresioni post partum (depresioni pas lindjes) është akoma një dukuri e panjohur nga gratë shqiptare, ndonëse shumica e atyre që e vuajnë janë gra. Ndihej e përhumbur dhe s’e kuptonte përse; sikur të mos mjaftonte kjo, i shoqi e akuzonte për tradhti.
- “Kam qenë në moshën 27-vjeçare kur kam tentuar të bëj vetëvrasje. Isha e martuar me dy fëmijë. Njërin fëmijë e kisha 1 vjeç dhe tjetrin 2. Nuk jetoja në Shqipëri. E shikoja që mërzitesha shpejt por nuk e kuptoja nga se. Pa e kuptuar kisha rënë në depresion post-natal. Sa herë që mërzitesha mbyllesha në dhomë dhe qaja. Në atë kohë edhe punoja. Lodhesha shumë, fëmijët e vegjël, burri s’bënte asgjë. Katastrofë. Nga mërzitja që kishte, burri filloi të më akuzonte se shkoja me të tjerë (imagjino, vetë më çonte në punë dhe vetë më merrte). Një ditë kam mbaruar punën në orën 4 të mëngjesit. Vjen burri dhe më merr. Rrugës për në shtëpi fillon me të njëjtat e tij. Se me kë kisha bredhur dhe se e tradhtoja, pse qeshja tek puna, pse u flisja njerëzve. S’bëra fjalë. Shkuam në shtëpi. “më lër”, i thashë, “Jam e lodhur”, plus fëmijët ishin në gjumë kisha frikë se nga zhurma do të trembeshin. Ai më keq. “Kërkon të shmangësh bisedat”, më tha, dhe vijoi me ofendimet. Aty mbaj mend që kam marrë një kuti me disa kokrra që i përdorja për migrenë dhe kur u zgjova e pashë veten në spital. Kam dalë nga spitali dhe mora fëmijët e shkova në qendrat sociale. Bëra denoncimin dhe jam larguar nga ai. Sot jam shumë e lumtur me dy ëngjëjt e mi. Një këshillë, mos i bëni keq vetes për asgjë dhe askënd në botë. Asgjë s’vlen më shumë se jeta juaj.”
E dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga një burrë i varur pas lojërave të fatit, kjo grua u desh të përballonte borxhet që s’mbaronin kurrë dhe një jetë të pakuptimtë, që zgjati 19 vite.
- “Unë jam një person që kam tentuar të vras veten, sepse mbi supe mbajta për 19 vjet dhunë fizike e psikologjike nga një i alkolizuar dhe bixhozxhi, vuajta varfërinë dhe borxhet që nuk mbaronin kurrë, vuajta urinë bashkë me fëmijët e mi e pija lot gjaku çdo natë. Nuk e di të të them si arrin njeri deri në atë pikë Anabel…por në trurin e dikujt që vret veten luhet pisët, mendimet të lodhin dhe kudo shikon veç zi je në një tunel e nuk beson më tek ajo drita në fund të tij. Dikush që vret veten Anabel nuk e bën këtë sot për nesër, ai lufton shumë me veten që t’ia dalë, por në momentin që në tru të është ngulitur që të vrasësh veten shpëton nga të gjitha hallet… Ajo është e vetmja gjë që rrotullohet në trurin e tij. Kam marrë rreth 70 kokrra paracetamol. Spitali i qytetit tim s’më mbajti, përfundova në TR. Pas 4 ditësh, gjendja ime u përmirësua. Thonë që një njeri që ka tentuar njëherë të vrasë veten do ta përsërisë prapë, por këtë s’e di.”/ anabel