Duke pasur në fokus temën e bixhozit “Shqiptarët për shqiptarët” kanë takuar Vasilin, 37 vjeç, jeta e të cilit është shkatërruar plotësisht nga ky ves. Vasili jeton rrugëve të kryeqytetit, i vetmuar e i shkatërruar totalisht. Por, jeta e tij shumë vite më parë ka qenë ndryshe, e lumtur pranë gjirit të një familjeje si gjithë të tjerët. Rreth 22 vite më parë, Vasili nisi të luante bixhoz dhe shumë shpejt pa e kuptuar as vetë u rrëmbye nga një vorbull me pasoja tronditëse. Gjithçka nisi nga kurioziteti, si një lojë argëtuese mes shokësh dhe u shndërrua në një sëmundje të rrezikshme, ndaj së cilës ai nuk po luftonte dot më. Vesi i kumarit e burgosi, e bëri pjesë të qelisë së padukshme të industrisë së bixhozit.
Lojërat e fatit e rrëmbyen Vasilin në një botë tejet të rrezikshme, ku çdo ditë e më shumë vetëm humbiste e nuk merrte asgjë në këmbim. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, ai duhet të jepte paratë, në të kundërt mund të humbiste edhe jetën. Zgjidhja që gjeti për të shpëtuar ishte edhe më shkatërrimtare për të e familjen. Pas përpjekjeve të shumta e të dështuara për ta larguar Vasilin nga bota e bixhozit, bashkëshortja e tij u largua përgjithmonë, duke marrë me vete edhe vajzën dyvjeçare. Kanë kaluar plot 11 vjet dhe Vasili asnjëherë nuk ka mundur të kontaktojë me të bijën apo ish-bashkëshorten. Bixhozi i shkatërroi përfundimisht lidhjen me familjen. Sot Vasili ka humbur gjithçka, familjen, shtëpinë e punën. Endet rrugëve të Tiranës, duke mbledhur kanaçe për të siguruar bukën e gojës.