Janë rreth 46.790 gra të arrestuara të burgosura e internuara gjatë regjimit komunist. Sipas statistikave të deritanishme, 5118 prej tyre kanë vdekur në kampet e internimit shumë të tjera nëpër burgje e të tjera të pushkatuara.
HISTORITË
Qerime Bone, gruaja nga Kolonja, është njëra prej grave të burgosura në komunizëm. Është një prej atyre rasteve kur dhuna komuniste arrin kulmin. Qerimja ishte shtatëzënë kur u arrestua e shpallur si armike e popullit. Për të gjithë ata që e kanë parë atë skenë, do të mbeten të pashlyera ato momente kur Qerimeja u shfaq në dyert e maternitetit e lidhur me pranga e përmes prangave solli në jetë fëmijën e saj. Ajo u dënua me 10 vjet burg. Vite më pas, Qerimeja u çmend për shkak të torturave e dhunës komuniste.
Merjeme Gjata është një tjetër grua e dhunuar ekstremisht në diktaturë. Ajo ishte nga Kukësi, i kishin vrarë tre fëmijë në kufi dhe ashtu të grirë nga plumbat, ia kishin hedhur në pragun e shtëpisë… Këtë nënë shqiptare e dënuan 10 vjet burg! Pas tmerrit që pa me sy, tre fëmijët e vrarë, ajo u çmënd dhe ashtu qëndroi në burg për 10 vite.
Viola Beqiri, ishte një tjetër grua e burgosur në diktaturë. Ajo ishte me gradë shkencore në fizikë bërthamore, u dënua 20 vjet burg dhe doli nga burgu e braktisur në moshën 60-vjeçare. Minja 20 vjeçe dhe Nadirja 16 vjeçe, ishin nga Baldushku i Tiranës, u dënuan sepse kishin tentuar të helmonin lopët e kooperativës. Minja u dënua 15 vjet, dhe Nadirja 10 vjet! Minen e kishin arrestuar disa orë para ceremonisë së martesës… Ajo vdiq në lule të rinisë, në moshën 24-vjeçare… kishte lënë si amanet ta vishnin nuse dhe të burgosurat ia plotësuan dëshirën… Trupi i saj pa jetë u martua me varrin e zi pa emër… Maria Medicina u dënua me vdekje, sepse dashuroi dhe u martua me një inxhinier italian. Ajo bëri 13 vjet burg dhe mbeti përjetë pa familje dhe pa fëmijë…. Bianka Balliçi, ish-gazetare me origjinë austriake, i thyen shtyllën kurrizore dhe ecte këmbadorazi… Vdiq në psikiatrinë e Elbasanit… Marta Doda u lirua nga burgu në moshën 82-vjeçare… U gjet e vdekur tek pragu i kishës katolike…
Të dhënat për këto histori janë marrë nga libri “Nëpër greminat e përgjakura komuniste”, Enver Memishaj, botim i vitit 2007.


