Ditën e sotme kryeministri Edi Rama e ka nisur me historinë e Sabiresë nga qyteti i Kamzës.
E moshura, e cila jeton e vetme ka bërë një kërkesë në platformën “Shqipëria që Duam”, pasi besonte se Posta Shqiptare po i mbante para me pa të drejtë dhe se nuk merrte pensionin që ajo meritonte.
Pas kësaj kërkese u vu re se ishin përllogaritur gabim vitet e punës se Sabiresë dhe fatmirësisht tashmë ajo merr pensionin që i takon, si dhe i është shlyer debija që i ishte hequr me pa të drejtë.
“MIRËMËNGJES dhe me historinë e Sabiresë nga Kamza, e cila pasi shkroi në Platformën e Bashkëqeverisjes korrigjoi llogaritjen e pensionit të saj, si edhe duke i nxitur të tërë ata që kanë nje problem me administratën të mos ngurrojnë të drejtohen pa humbur kohë tek shqipëriaqëduam.al, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
Kujtojmë se kryeministri edhe më parë i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes për çdo problem që hasin me administratën, pasi deklaroi se “Shqipëria që Duam” është i vetmi mik që të çon tek ai.