Tregtimi i pijeve energjike do të bëhet pa akcizë. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje heqjen e akcizës për pijet energjike, e cila paguhet 30 lekë për litër. Ndryshimet u propozuan nga deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati.
“Duke pasur parasysh diskutimin që kemi nisur që para tre vjetësh për një shqetësim që kishim për përdorimin në pijet energjike, është parë që nuk ka ndikuar në përdorimin e saj, ndaj propozoj të shfuqizohet kjo pikë. Jam dakord që pas diskutimeve që bëmë, në dy-tre mbledhje më vonë, të shikohet në një kontekst më të gjerë, qoftë me pijet e gazuara dhe pijet që kanë sheqer”, u shpreh Bushati.
Deputeti i PS, Bushati argumentoi se ndryshimi erdhi për shkak të tregut që ka nevojë për korrektim. “Ka disa produkte, si në rastin konkret, pavarësisht akcizës, që kanë rritje të përdorimit dhe nuk ndalohen me anë të akcizës. Më vonë do të rishikohet ligji që të mos shitet nën moshën 18 vjeç, për ata që kanë probleme me zemrën, me diabetin”, tha Bushati. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe votoi kundër.
“Ne duhet të marrim një masë që e kufizon konsumin me ligj, e kemi bërë këtë gjë për duhanin, për pijet alkoolike, duhet ta bëjmë edhe për pijet energjike dhe pijet me sheqer mbi normë dhe këtë gjë do ta çoj vetë deri në fund, pra vendosjen e kufizimit të moshës”, tha Braçe. Opozita nuk mori pjesë në votim.
Nënkryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, i cilësoi ndryshimet klienteliste. “Unë e konsideroj klientelizëm, kur një produkti i vendoset dhe i hiqet akciza dhe jo kur nuk ka pasur asnjëherë akcizë. Kush është i korruptuar tani”, u shpreh Tabaku.