Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i është drejtuar që me 21 dhjetor kryetarit të gjykatës së rrethit gjyqësor në Shkodër Arben Zefi lidhur me mosdërgimin e vendimit të shkurtuar penal të formës së prerë për dënimin e shtetasit Artan Dragani, i cili mban postin e kancelarit të gjykatës së shkallës së parë.
Ky vendim sipas ministres duhej të ishte dërguar në zyrën e gjendjes gjyqësore në Tiranë e cila më pas përfundon tek drejtoria e përgjitshme e burgjeve nga ku ezkeutohet pastaj vendimi duke burgosur personin e dënuar në këtë rast shtetasin Artan Dragani.
Kreu i gjykatës Arben Zefi i është përgjigjur ministres duke i thënë se vendimi për Artan Draganin është në vitin 2012 ndërsa postin si kryetar i gjykatës e ka marrë në fund të 2014-ës.
Pas marrjes së kësaj detyre kreu Zefi thotë se ka nxjerrë një urdhër të brendshëm në mënyrë që të gjitha vendimet e këtij lloji të dërgoheshin në zyrën e gjendjes gjyqësore sepse deri atëherë ka patur me qindra të padërguar.
Kjo ka bërë që të largojë nga puna kryesekretarin e atëhershëm. Kryetari i gjykatës nuk është në dijeni nëse vendimi për shtetasin Artan Dragani është dërguar apo jo në zyrën e gjendjes gjyqësore duke qenë se e ka nxjerrë urdhrin e brendshme që këto vendime të dërgohen.
Nga ana tjetër mësohet se në atë kohë kancelari quhej Artan Dragani ndërsa tani ka një ndryshim tek mbiemri në Artan Dragoni. Kryetari i gjykatës i ka bërë me dije gjithashtu se rasti në fjalë do të konstatohet për të parë se çfarë ka ndodhur./panorama