Gjykata ka pranuar kërkesën e mbrojtësit të 25 vjeçarit David Myrte, i akuzuar për vrasjen e Zarif Alliut për të pyetur në cilësinë e dëshmitarit D. Papën. Ai ndodhet i burgosur në Larisa të Greqisë dhe dëshmia e tij do të merret nëpërmjet letër-porosisë.
Mbrojtja e të akuzuarit për vrasje, pretendon që D. Papa ka qenë personi që ka komunikuar me viktimën me telefon ditën e vrasjes dhe jo 25 vjecari Myrte.
Seanca e radhës është shtyrë nga gjykata me dy muaj, në pritje të letër-porosisë nga Greqia. David Myrte akuzohet për vrasjen e Zarif Alliut në mars të vitit 2017 në Devoll për pazaret e drogës.
NGJARJA
Mbrëmjen e së shtunës, Mentor Vurnazi, Zarif Alliu dhe D.T., sipas të dhënave fillestare ishin nisur drejt zonës që njihet si “Shtegu i emigranteve”, por u sulmuan nga një grup personash, të cilët i kanë goditur me dru duke i masakruar.
Rasti i rëndë ka bërë që policia të hetojë në dy pista, atë të grabitjes dhe, nga ana tjetër, atë të trafikut të lëndëve narkotike. Burime të rezervuara të Policisë bënë me dije se pista, e cila kishte më shumë dyshime, ishte ajo e trafikut të lëndëve narkotike dhe se dy grupimet kishin lënë takim pikërisht në vendin ku ka ndodhur sherri.
Ndërkaq, pas zbardhjes së ngjarjes, policia ende është duke hetuar për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë, pasi ka dyshime se autori Burnazi mund të ketë qenë i shoqëruar nga persona të tjerë.
Dyshohet se e gjitha ka ardhur pas pazareve të prishura për drogën. Po të njëjtat burime sqarojnë se nuk dihet konkretisht çfarë ka ndodhur mes të dëmtuarve dhe autorëve, ndërsa pas ekspertizës së vendit ku ka ndodhur krimi, mësohet se gjithçka është kryer me mjete rrethanore.
Në vendin ku është goditur viktima dhe dy shoqëruesit e tij janë gjetur copa druri, dhe dyshohet se ky ka qenë edhe mjeti i përdorur në sherrin mes tyre, ndërsa si prova materiale janë marrë edhe sende personale dhe veshje të personave.
Policia ka ndërtuar edhe dinamikën e ngjarjes, sipas së cilës, në dalje të fshatit, në afërsi të një shtegu, që dikur është përdorur në masë nga banorët e fshatit Braçanj për të hyrë në shtetin grek, ka nisur sulmi mes palëve, por vetëm dy prej peronave janë dëmtuar, njëri mbeti i vdekur, tjetri i plagosur, ndërsa personi i tretë ka mundur të largohet dhe të fshihet.
Pasi ka pritur që autorët të largohen, D.Sh. ka dalë dhe bashkë me Mentor Vurnazin kanë transportuar Zarif Alliun, i cili ishte në gjendje kritike. Pasi janë afruar në hyrje të fshatit, D.T., ka kërkuar ndihmë nga banorët dhe pas mbërritjes së policisë, ata janë transportuar në spital, por 44-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja ka hedhur dyshimet kryesore për Policinë drejt pistës së trafikut të drogës, çka ka bërë që për orë të tëra forca të shumta policie të krehin gjithë zonën për të rënë në gjurmë të autorëve.


