Platforma X, në pronësi të Elon Musk, ka sulmuar ashpër autoritetet franceze të drejtësisë, duke i akuzuar për një “hetim penal të motivuar politikisht” që, sipas saj, synon të kufizojë lirinë e shprehjes së përdoruesve. Në një deklaratë zyrtare, X mohoi të gjitha akuzat dhe tha se nuk do të bashkëpunojë me autoritetet franceze.
Sipas platformës, kërkesat e autoriteteve përfshijnë dorëzimin e të gjitha postimeve të përdoruesve, të cilat do të analizoheshin nga studiues që, sipas X, kanë treguar më parë “qasje armiqësore” ndaj saj. Platforma e cilësoi këtë si një shkelje të rëndë të parimeve demokratike.
“Bazuar në informacionin që kemi, besojmë se kjo çështje keqinterpreton ligjin francez për të ndjekur një agjendë politike dhe për të kufizuar lirinë e fjalës”, thuhet në reagimin zyrtar të X.
Kritikat ndaj hetimit janë përqendruar edhe në faktin se çështja po trajtohet në kuadër të ligjit për krimin e organizuar, i cili i jep policisë kompetenca të zgjeruara, përfshirë mbikëqyrjen e pajisjeve personale të punonjësve të X.
Elon Musk, një përkrahës i njohur i presidentit amerikan Donald Trump dhe disa partive të djathta në Evropë, ka kritikuar shpesh vendet europiane për censurë dhe kufizime ndaj lirisë së shprehjes.
Ky hetim pritet të thellojë më tej përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian mbi rregullimin e përmbajtjes në internet. Ndërkohë, Komisioni Europian po zhvillon një hetim të veçantë ndaj X për shkelje të rregullave të BE-së kundër përmbajtjes së paligjshme në rrjet.


