“Arrest në burg” pa afat caktoi dje Gjykata për Krime të Rënda për Bledar Shqarthin, shoferin e kamionit të arrestuar në Portin e Durrësit me 4 kilogramë heroinë.
Seanca për rivlerësim mase u zhvillua në orët e paradites së djeshme, me dyer të mbyllura, kjo me kërkesë të Prokurorisë për shkak të sekretit hetimor. Sipas organit të akuzës, hetimet vazhdojnë për të zbardhur rastin e trafikut dhe personat e tjerë të implikuar dhe bërja publike e disa detajeve, mund të prishë hetimet.
Ndërkohë, mësohet se prokurori Vladimir Mara ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa më e rëndë e parashikuar në ligj, ajo e “arrestit me burg”, pasi ka dyshime se trafikimi i lëndës narkotike do të bëhej në bashkëpunim dhe në kuadër të grupit, megjithëse deri më tani, ende nuk ka asnjë person tjetër të arrestuar.
Për Prokurorinë, lënia e lirë e tij, mund të prishë hetimet, si dhe ka dyshime se Shqarthi mund të tentojë të shmangë hetimet. Arrestimi i shoferit u bë gjatë mbrëmjes së 6 janarit, pasi nga kontrolli i imtësishëm në kamionin, që ai drejtonte, u gjet çanta me heroinë, për të cilën Shqarthi ka deklaruar se nuk kishte dijeni.
AVOKATI
Në seancën e djeshme, Bledar Shqarthi u mbrojt nga avokati Mikel Çipi, i cili kërkoi një masë më të butë për klientin e tij. Ndërsa në një deklaratë për mediat, u shpreh se Prokuroria nuk ka prova në lidhje me pretendimin se Bledar Shqarthi është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Për avokatin Çipi, masa e caktuar nga Gjykata është ekstreme, ndërsa shtoi se klienti i tij do të fliste në një moment të dytë. Në seancën e djeshme, mësohet se të vetmet fjalë, që Shqarthi ka thënë, janë gjeneralitetet e tij dhe faktin se do të fliste në një moment tjetër.
“Duke qenë se ai u përball me një akuzë ekstreme, siç është ajo e bashkëpunimit për trafikimin e lëndës narkotike, pa pasur as më të voglën indicie dhe jo më provë, nuk pranoi të flasë në Gjykatë, duke menduar se do të flasë në një moment të dytë”, u shpreh avokati, pas përfundimit të seancës. Kujtojmë, se të njëjtin qëndrim i dyshuari ka mbajtur edhe gjatë marrjes në pyetje nga Policia, duke kërkuar një avokat dhe kohë për të dhënë deklarimet e tij. Më interes për Prokurorinë është mënyra e sigurimit të lëndës narkotike dhe më tej për destinacionin e saj përfundimtar.
ARRESTIMI
Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka bërë arrestimin e Bledar Shqarthit në 6 janar, ndërsa lënda narkotike e llojit heroinë u zbulua në një kamion me targa AA 519 TJ, që pritej të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona. Nga dokumentet e kamionit, dyshohet se droga kishte destinacion Italinë, ndërsa burime bëjnë me dije se u zbulua nga qeni antidrogë. Konkretisht, sasia e lëndës narkotike u gjet në kabinën e kamionit në një çantë që mbante drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Bledar Shqarthi, një 29-vjeçar nga qyteti i Durrësit.


