Shkrimtarja e njohur Helena Kadare ka qenë e ftuar për të folur për jetën e saj në këto kohe karantine në emisionin “Hipokrati” në Top Channel. Teksa ka folur me mirënjohje për punën heroike të qindra grave të sistemit shëndetësor, për punën e përkushtuar që po bëjnë këto kohë në luftë me armikun e padukshëm, ajo tregoi dhe se si e sheh Parisin në këto kohë jo të lehta, por edhe librat.
Kadare tregoi një ndalesë që kishte pasur këto ditë me një mikeshë të sajën tek Katedralja, dhe se si një pllakë e shfaqur papritur në rrugë ku shkruhej “Rue Bucherie”, do ta bënte të vizitonte shtëpinë e shkrimtares së njohur franceze Simone De Beauvoir, e njohur si një frymëzuese për të drejtat e grave në botë, por dhe për jetën e saj përkrah Sartrit.
Helena Kadare tregoi se kjo vizitë i erdhi si një dhuratë në këto kohë që po lexon një libër të mrekullueshëm me letra dashurie që Simone De Beauvoir, ia dërgon të dashurit të saj amerikan poetit Nelson Algren.“ Këto kohë po lexoj letrat e saj të jashtëzakonshme të ardhura në shqip nën përkthimin mjeshtëror nga Alda Bardhyli, një mikeshë e jona në Tiranë. Ky është një libër që ua sugjeroj të gjithëve”, tha Kadare. Libri “Një dashuri transantlantike” është botuar nga Shtëpia e Librit dhe përmban më shumë se 600 letra dashurie që Simone De Beauvoir ia dërgoi të dashurit të saj të fshehtë Nelson Algren, një poet amerikan që e takoi gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më shumë se 600 letra dashurie, rrëfejnë historinë e jashtëzakonshme të një dashurie që përshkrohej nga oqeani. Marrëdhënia Algren-Beauvoir, e cila vijoi në një formë apo një tjetër për gati dy dekada, filloi disintegrimin e vet të gjatë dhe episodik afro një vit pasi filloi. Ndoshta i keqkuptuar nga mënyra se si ajo i drejtohej atij, psh: “burri im i dashur” apo mënyra se si përshkruante ajo veten “gruaja jote që të do” dhe në një rast, “gruaja jote lakuriq që po ofshan”), Algren i kërkoi Beavoir që të martohej me të. Dhe megjithëse është shumë e ndershme të vëresh se ai nuk ishte aq shumë i gatshëm që të zhvendosej për në Paris, e akoma më pak, të mësonte frëngjisht, dhe po gjithashtu ajo nuk ishte e gatshme të zhvendosej në Çikago, është gjithashtu e qartë se megjithëse ajo teknikisht ishte ajo që refuzoi, në fakt dukej se ajo dëshironte t’i vinin rrotull ndërsa ai po kërkonte martesë. Në një mënyrë, sjellja e Beauvoir dhe shpjegimi që ajo dha për refuzimin e propozimit të Algren, imiton (dhe përbën po aq pak sens logjik) sa edhe justifikimet e një burri të martuar ndaj dashnores së tij: Shpirt, të dua më shumë se çdo gjë, por angazhimet e mija aktuale e bëjnë të pamundur që ne të jemi bashkë; gjithsesi, ti je gjëja më e rëndësishme në jetën time (me përjashtim të Sartrit).
Pasi Beauvoir kaloi një vit duke shkruar gjëra të tilla si: “kur mendoj se do të të shoh, se do të të ndjej, mua më merren mendtë… fyti më ngushtohet dhe më thahet goja. Unë do të bëhen reale, në më pak se një muaj,” ajo sërish ndryshoi planet e saj në minutën e fundit për shkak se Sartri ndryshoi planet e tij.
Rrjedhimisht koha që ajo planifikoi të kalonte me Algren u ul nga tre në dy muaj. Marrëdhënia e Beauvoir me Algren mund të thuhet se ka ekzistuar diku në një pikë të caktuar mes të qenit dhe të mosqenit: ata i shkruan njëri-tjetrit nga viti 1947 deri në vitin 1863, por kaluan sëbashku në totak më pak se një vit e gjysmë, më së shumti në periudha pushimesh, të cilat shpesh ishin – sipas përshkrimit të vetë Beauvoir në shkrime të tjera autobiografike – të mbushura me ankth, frustrim dhe pakënaqësi të vogla.