Zbardhet urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe udhëzuesi mbi protokollin sanitar që do të ndjekin kopshtet dhe çerdhet të cilat do të hapen në datën 1 qershor 2020. Në udhëzimin e siguruar nga Panorama, ministria thekson se kjo rregullore është paraprake dhe mund të ndryshojë në varësi të ecurisë së situatës së koronavirusit.
Orari për sjelljen dhe marrjen e fëmijëve nga kopshte do të përcaktohet sipas një grafiku duke qenë nën monitorimin e edukatoreve për të shmangur grumbullimet e prindërve në këto institucione. Prindërit duhet të jenë të përpiktë me këtë orar, si dhe me distancën 1.5 metra nga prindërit e tjerë. Institucioni duhet të jetë i pajisur me higjienizues.
Fëmijët nuk duhet të dalë nga godina gjatë ditës por vetëm në ikje dhe në ardhje.
Të gjitha ambientet e institucionit duhet të jenë në dispozicion e fëmijëve për të krijuar sa më shumë hapësirë për ta në mënyrë që të ruhet një lloj distance fizike edhe mes tyre.
Fëmijët e përcaktuar në grupe, duhet të rrinë çdo ditë në sallë me të njëjtën edukatore të cilat do të kujdesen që fëmijët të jenë larg njëri tjetrit kur ulen në tavolinë(në një tavolinë me 10 karrige, ulen 5 fëmijë).
Fëmijët nuk duhet të përzihen me grupe të tjera as në kohën e pushimit, ndërkohë që dhomat e gjumit duhet shfrytëzuar e gjithë hapësira që ata të jenë larg njëri tjetrit.
Nuk rekomandohet organizimi i festave të ditëlindjeve të fëmijëve në kopsht.
Në protokoll ka rregulla strikte edhe për lodrat e fëmijëve të cilat duhet të dezinfektohen, ndërsa ato që fëmijët i fusin në gojë duhet të largohen prej tyre.
Lodrat prej cope duhet të lahen në lavanderi dhe të përdoren gjithmonë nga i njëjti fëmijë deri në momentin e larjes.
Fëmijët e vegjël që kanë nevojë të ndërrohen, duhet larë në kujdes të veçantë higjieno-sanitar.
Rekomandohet pastrimi në mënyrë rutinë i të gjithë ambientit të kopshtit.
Punonjësit e kuzhinës duhet të qëndrojnë gjithmonë me maskë, duke larë duar para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit, si dhe të lajë sipërfaqet dhe enët që përdor për gatim.
Prindërit do të nënshkruajnë këtë rregullore para se të vendosin të sjellin fëmijët në kopsht, ndërsa për çdo kërkesë rekomandohet komunikimi elektronik për të shmangur kontaktin fizik. Ai nuk duhet të futet në ambientet e institucionit për asnjë arsye.