Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Kina po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e SHBA-së duke përdorur tarifa hakmarrëse kundër bujqësisë dhe prodhimit, sektorë, punonjësit e të cilëve kanë më shumë gjasa të mbështesin Trump dhe politikat e tij tregtare.
“Kina ka deklaruar hapur se ata janë duke u përpjekur në mënyrë të vazhdueshme për të ndikuar dhe për të ndryshuar zgjedhjet tona duke sulmuar fermerët tanë dhe punëtorët industrialë për shkak të besnikërisë së tyre ndaj meje”, deklaroi presidenti amerikan Trump në Twitter.
“Kina nuk e kupton që ata mbështetës e kuptojnë plotësisht se Kina ka përfituar nga tregtia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shumë vite”, tha Trump.
“Ata gjithashtu e dinë se unë jam i vetmi që di se si ta ndaloj atë”, shtoi presidenti Trump.
Trump kërcënoi se do të ketë një hakmarrje të madhe dhe të shpejtë ekonomike kundër Kinës, nëse në shënjestër do të jenë fermerët dhe punëtorët industrialë amerikanë.


