Dy persona të maskuar kanë hyrë gjatë natës në banesën e influencueses dhe sipërmarrëses spanjolle Rocío Osorno, në një kohë kur ajo dhe pjesëtarë të familjes ndodheshin brenda. Ngjarja është zbuluar nga vetë Osorno, e cila më pas ka publikuar në rrjetet sociale pamje dhe detaje nga momentet e frikshme.
Sipas rrëfimit të saj, ajo po regjistronte përmbajtje në katin e sipërm të shtëpisë kur vuri re një dritare të hapur në njërën prej dhomave. Duke qenë se dritarja mbahej zakonisht e mbyllur, Osorno dyshoi menjëherë se dikush kishte hyrë në banesë.
Pasi kuptoi se nuk ishte vetëm me familjen, ajo nisi të bërtiste për të alarmuar personat e tjerë në shtëpi dhe për t’i mbajtur larg zonës ku ndodheshin ndërhyrësit.
Në regjistrimet e publikuara dallohen dy persona me fytyrat të mbuluara, kapuçë dhe drita të vendosura në kokë. Ata shihen duke kontrolluar garderobën, hapur sirtarët ku mbaheshin bizhuteritë dhe kërkuar nëpër rafte për sende me vlerë.
Pamjet kanë fiksuar gjithashtu çastin kur personat e maskuar kuptojnë se janë diktuar. Në regjistrim ata dëgjohen duke komunikuar në gjuhën shqipe, ndërsa nxitojnë të largohen duke marrë sendet që arrijnë të gjejnë.
Megjithatë, vetëm gjuha e dëgjuar në video nuk përbën konfirmim zyrtar të kombësisë së tyre. Autoritetet pritet të përcaktojnë identitetin dhe origjinën e autorëve nëpërmjet hetimeve.


