Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se nuk i trembet krijimit të partive të reja politike. Sipas saj, ato vetë do t’i rritin kredibilitetin opozitës. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Krymadhi u shpreh se partitë e reja do ti marrin votat Edi Ramës.
“Çdo strukturë e re që angazhon njerëz në politikën shqiptare mendoj që nuk krijon asnjë efekt apo asnjë dëmtim opozitës. Përkundrazi ja rrit kredibilitetin dhe ja rrit angazhimin Të jeni të bindur se qytetarët janë më të mençur, ky kontingjent do të përçaje PS, do t’ja marrë votat Ramës. Do ta ketë një efekt të pamundur për të përçarë opozitën”, u shpreh Kryetarja e LSI.
Kryemadhi ka një thirrje edhe për intelektualët, për të cilët tha se Shqipëria ka nevojë për ata. “Përfshirja në LSI nuk do të thotë të bëhesh një votues, por do të thotë të marrësh në duar fatet e veta. Kjo është shumë e rëndësishme për të krijuar një frymë të re në qeverisjen e ardhshme. Ajo që unë kam dashur të ndaj me ju është që gjatë gjithë kësaj kohe unë kam patur takime me të rinj dhe të reja. Angazhimi i të rinjve është i madh.
Ajo që më bën përshtypje është dëshira që kanë për të marrë në dorë fatet e veta. LSI është partia e të rinjve dhe të rejave, por LSI është e të gjithë atyre që duan të kontribuojnë. Dua të theksoj se sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për përfshirjen e të gjithë intelektualëve në Shqipëri. E dimë që janë të mërzitur me politikën, por i vetmi ilaç është përfshirja në politikë për ta detyruar klasën politike që të jetë një politikë e re për shqiptarët”, u shpreh Kryemadhi.