Grupi i Grave, Deputete të Partisë Socialiste kanë dalë edhe një herë në mbështetje të qytetares Xhisiela Maloku.
Përmes një deklarate për mediat gratë deputete të PS-së inkurajojnë Prokurorinë që ti shkojë deri në fund hetimeve për të zbardhur të vërtetën për dhunimin e Xhisiela Malokut.
Deklarata e Plotë:
Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste rithekson mbështetjen për Prokurorinë në hetimin deri në fund të së vërtetës për dhunimin e Xhisiela Malokut.
Na vjen shume mirë që prokurorja e çështjes është një grua, e cila sot ka të gjithë solidaritetin tonë në kryerjen e detyrës si edhe inkurajimin tonë të plotë, për t’i shkuar deri në fund çështjes në fjalë. Duke i rezistuar çdo ditë prej kohësh tanimë, vulgut politik e mediatik dhe duke treguar guxim e vendosmëri në ndarjen e drejtësisë nga politika, Prokuroria po jep në vijimësi sinjale shumë inkurajuese për shqiptarët që duan drejtësi.
I bëjmë përsëri thirrje kolegeve deputete të opozitës të ndikojnë që të ndalet dhunimi publik i vajzës për motivet e politikës së dëshpëruar opozitare. Po ashtu u shprehim atyre keqardhjen për deklarata e akuza të ulëta, që shkojnë në drejtim krejt të kundërt me interesin e Xhisielës dhe të drejtësisë për të.
Për ne drejtësia për vajzën është mbi gjithçka. Për ne ligji është mbi gjithkënd.



