Prej disa ditësh në vendin tonë janë raportuar tre rastet e para me gripin e shpendëve H5N8. Pothuajse shumë nga qytetarët janë frikësuar nga ky grip pasi mendojnë se ka të njëjtin përhapje si COVID-19.
Shumë prej tyre janë frikësuar edhe për konsumimin e vezëve dhe mishit të shpendëve, duke mos blerë për një kohë këto produkte. Pë këtë ka reaguar edhe Silva Bino e cila thotë se rreziku nga H5N8 është i ulët dhe se produktet e shpendëve mund t’i konsumojnë, por pasi të jenë gatuar mirë.
Pas tre vatrave të evidentuara me gripin e shpendëve në zonën e Dajtit, në Fushë-Krujë dhe në Bujan, ka nisur hetimi epidemiologjik. Shpendët dhe produktet e infektuara do të asgjësohen sipas protokolleve të përcaktuara.
Por çfarë duhet të dimë për gripin e shpendëve?
Gripi i shpendëve H5N8 është i përhapur thuajse në të gjithë Evropën, por ajo që është e rëndësishme, sipas ekspertëve, është se ky virus nuk tranmetohet nga njeriu tek njeriu.
Gripi i shpendëve është një infeksion që shkaktohet nga viruse të gripit normalisht tipik për to. Këto lloje virusesh hasën në mënyre të natyrshme mes shpendëve. Shpendët e egra i mbartin ato në zorrët e tyre, por zakonisht nuk sëmuren prej tyre.
Simptomat
Në shumicën e rasteve ato i ngjajnë atyre të gripit të zakonshëm, duke përfshirë:
-Kollë;
-Ethe;
-Dhimbje të fytit;
-Dhimbjet e muskujve;
-Dhimbje koke;
-Frymëmarrje e ngadaltë;
Disa njerëz kanë të përziera, të vjella ose diarre. Dhe në disa raste, një infeksion i butë i cili është i vetmi tregues i sëmundjes.
Masat e marra:
Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural po ndjek me vëmendje monitorimin e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve në vendin tonë. Pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë, me urdhër të ministres Milva Ekonomi u hartua një plan masash mbrojtëse.
Së pari, u bë ndalimi i hyrjes të shpendëve nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Pranë Ministrisë së Bujqësisë është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit. Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve.
Shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Në vijim, Urdhëri i Ministres ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla.
Alpenews.al


