Pas shkarkimit të Vincenzo Montella-s, Milani ia besoi drejtimin e skuadrës Ivan Gennaro Gattusos, i thirrur për të zgjidhur problemet e “Djallit”. I dalluar për grintën që transmeton në skuadër, 39-vjeçari tha në konferencën e parë për shtyp se e ka përvojën e duhur për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi.
Është një ditë e rëndësishme dhe e di që duhet shumë punë. Përgjegjësia është shumë e madhe. Në eksperiencat e mia të përparshme, shqetësimet kanë qenë të ndryshme, por te Milani kam gjithçka. Kam drejtuar në 100 e më shumë ndeshje, pra e kam eksperiencën. Gjithsesi, punën time do ta tregojnë rezultatet.
Por si do të ndryshojë Milani nën drejtimin e “Ringhios”?
Idetë i kam të qartë. Do të punojmë me mbrojtjen me 3, 4 në mesfushë dhe më pas të shohim sesi do të veprojmë për sulmin. Me Montella-n kam patur marrëdhënie të shkëlqyera, por mendoj se ndryshon këndvështrimi ynë për futbollin dhe mbi konceptet. Atij i pëlqen ta luajë topin duke nisur nga mbrojtja, ndërsa unë jam i bindur se duhet të vertikalizojmë dhe të synojmë portën.
Milani pozicionohet në ventin e 7-të në Serinë A, 11 pikë larg zonës Champions. Kur pyetet nëse mund ta arrijë këtë objetiv, Gattuso përgjigjet:
Nuk mendoj për Champions dhe nuk e shoh fare klasifikimin. Jetoj ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje, më pas do të shohim se deri ku do të arrijmë. Të dielën luajmë me Beneventon, ndaj duhet të jemi të përqendruar te kjo ndeshje sikur të ishte finalja e Kupës së Botës. Kur luan në “San Siro” duhet të jesh shumë i kujdeshshëm, ndryshe topi peshon shumë në këmbë.
Për Gattuson nuk ka një çëshje të hapur sa i përket shiritit të kapitenit, ndërsa ngulmoi te disiplina, që duhet të jetë primare në skuadër.
Bonucci do të vijojë të jetë kapiten. Mos prisni të reja në këtë aspekt. Djemtë kanë shumë dëshirë për të punuar. E dashuroj një skuadër që ka disiplinë. Nuk më intereson se ç’sjellje do të kenë lojtarët jashtë fushë, por shpirti i grupit gjatë lojës.



