I njohur si “Imami”, ai dyshohet se ka qenë në pistë duke i drejtuar armën punonjësve të aeroportit.
POR KUSH ËSHTË OLTION VESELI?
Sipas informacioneve, 38-vjeçari është vëllai i Ermal Veselit, pronar i një picerie në zonën e Fushë-Krujës.
Por nga vetë emri që mban piceria, “Pizzeri Kupa Hallall”, Veseli ka lidhje me Dash Kupën dhe është aksioner në një nga piceritë. Kupa, i cili është edhe kushëri i vëllezërve Veseli, ndodhet në burg pasi është përfshirë në grabitjen e 9 shkurtit 2017 në Qafë-Kashar.
Dyshohet se ai ishte personi që përplasi blindin me para. Ai është edhe djali i xhaxhait të Ernest Kupës i cili është i arrestuar për të njëjtën vepër penale.
Pizzeri Kupa Hallall, ka edhe disa filiale në Tiranë e Pogradec.
Kush është Olti Veseli, myslimani radikal që u përzgjodh nga Al Kaeda! Diploma fetare që as vetë shteti i Jemenit nuk e njeh
Oltion Veseli është larguar nga Shqipëria në vitin 2003 kinse për të kryer studime fetare në një shkollë në Jemen, diplomën e së cilës as vetë shteti i Jemenit nuk e njeh. Por në fakt ai është stërvitur aty me muaj të tërë për të shkuar më tej në Afganistan krah talebanëve.
Përreth 1 vit, para se të nisej në Afganistan, Veseli, ka qenë edhe imam i vetëshpallur në xhaminë e Krujës, në zonën e Kalasë. Ai nuk ka qenë asnjëherë imam i vendosur nga KMSH-ja në Krujë, por i vetëshpallur.
Veseli u arrestua në 2005 nga trupat amerikane gjatë një operacioni kundër talebanëve dhe mbështetësve të tyre në Afganistan dhe u riatdhesua në vitin 2006, pasi nga hetimet rezultoi të ishte shfrytëzuar nga radikalët islamikë për shkak të moshës së tij të re dhe besimit të fortë tek “Allahu”.
Ai ka qëndruar për më shumë se një vit në burgjet amerikane në Afganistan, i dyshuar si terrorist islamik dhe pjesëtar i guerrilasve talebanë dhe më pas është kthyer në Shqipëri më 25 qershor të 2006.
Udhëtimi i Veselit drejt Jemenit në vitin 2003 u mbulua me faktin se ai duhej të shkonte për studime në një universitet teologjik islamik në kryeqytetin e këtij shteti, San’a. dhe është mbuluar nga një shoqatë me qendër në Tiranë, e njëjta shoqatë që ndihmonte afro 200 jetimë në fshatin Kondovë të Maqedonisë gjatë kohës që ky fshat ishte nën kontrollin e një grupi të armatosur personash me kombësi shqiptare.
Universiteti në të cilin ishte nisur për studime Veseli, në San’a, nuk është ndonjë institucion arsimor i njohur në përgatitjen e klerikëve myslimanë në botë, përkundrazi diploma e tij nuk njihet as nga vet shteti i Jemenit. Pasi ka qëndruar për disa muaj aty, Veseli është nisur në drejtim të Pakistanit. Sipas burimeve nga shërbimi i Antiterrorit thuhet se “Veseli është stërvitur dhe trajnuar për 4 deri 6 muaj në Jemen, nga ku me pas është transferuar në drejtim të Pakistanit. Udhëtimi nga vendi më i varfër i gadishullit arabik në drejtim të Pakistanit është i kushtueshëm kështu që shpenzimet e tij ishin paguar nga personat që kanë përgatitur rekrutët për muxhaidinë. Një nga celulat e rrjetit të Al Kaeda-s që vepron në Pakistan ka bërë grumbullimin e rekrutëve dhe më pas i ka infiltruar nëpërmjet kufirit tokësor në drejtim të zonave malore të Afganistanit, ku veprojnë guerrilet e talebanëve dhe militantëve të Al Kaeda-s”.
Përfshirja e besimtarëve myslimanë në grabitje nuk është e re. Në vitin 2017, për grabitjen në rrugën e Rinasit të autoblindave me para, mes të tjerëve u arrestuan dhe u dënuan dy besimtarë myslimanë.


