Burrë e grua ranë pre e grabitësve këtë të mërkurë, një tentativë e cila çoi në vdekjen e pronarit të një marketi të familjes, në rrugën OSBE të Kamzës.
Tvklan.al nga vendi i ngjarjes ka mundur të sigurojë dëshmitë e para të banorëve dhe personave që familjen Buci e njihnin nga afër.
Dy dëshmitarë i thanë tvklan.al se ngjarja ndodhi rreth orës 20:55. Ata thanë se kishin dëgjuar krisma dhe fillimisht kishin menduar se bëhej fjalë për kapsolla. Të alarmuar nga zhurmat, banorët kishin dalë jashtë, por nuk kishin parë njeri për shkak të errësirës.
Pak çaste më vonë, dëshmitarët thonë se dëgjuan të bërtitura dhe në këtë moment kuptuan se diçka kishte ndodhur në marketin e lagjes së Agim dhe Merita Bucit.
Një prej dëshmitarëve rrëfen se Agim Buci ishte brenda banakut pa shenja jete.
“Bashkë me një shokun tim e kemi ngritur dhe e kemi nxjerrë jashtë për ta transportuar menjëherë për në spital. E kemi hipur në një autoveturë autoshkolle, ndërsa bashkëshortja, me aq sa pamë, kishte plumb në këmbë”, rrëfen një prej tyre.
Banorët e zonës rrëfejnë gjithashtu se rruga “OSBE” prej më shumë se 5 vjetësh është pa ndriçim, megjithëse shtyllat janë të vendosura. Sipas tyre, si pasojë e mungesës së ndriçimit të rrugë, numri i grabitjeve nëpër banesa është rritur.
Agim dhe Merita Buci janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe 1 djali. Ata që i njihnin nga afër i përshkruajnë si një familje të nderuar, e cila mbahej në këmbë nga dyqani i vogël që këtë të mërkurë u vu në shënjestër të grabitësve, të cilët mbeten ende në arrati./tvklan.al


