Grabitësit që vranë 52- vjeçarin Agim Buci zgjodhën momentin kur transmetohej ndeshja Champions League për të hyrë me armë në minimarketin që ndodhet në rrugën “OSBE” në Kamëz, Tiranë.
“Ngjarja ndodhi në 20:45 sa filloi ndeshja” tha një dëshmitar për Ora News.
Gruaja e pronarit, 44 vjeçarJa u përball me dy persona të maskuar dhe me kapele të veshur sportiv. Pasi i kërkuan paratë, gruaja u ka thënë se nuk kishte lekë, ndërsa mori një thikë e tentoi t’i godiste.
Në këtë moment autorët e qëlluan në këmbë me dy plumba pistolete ndërsa djali i saj 6 vjeç u ul poshtë tavolinës.
Pasi dëgjoi të shtënat dhe ulërimat e bashkëshortes, Agim Buci mbërriti menjëherë në dyqan e tij dhe tentoi t’i hiqte maskën njërit prej autorëve. Nga një distancë fare e shkurtër, ai u qëllua për vdekje në gjoks me pistoletë.
Ndoc Ramaj, personi që i transportoi për në spital rrëfen për Ora News ato momente tragjike: “Ishim unë me vëllanë që i transpotuam në spital me dy makina. Agimi ishte pa ndjenja e shoqja kishte. Pashë gjak kur hyra në market, gruaja ulërinte ndërsa Agimi ishte pa ndjenja. Mora makinën time dhe transportova me urgjencë. Vëllai transportoi Meritën..
Fqinjët e njihnin si familje të rregullt dhe u shprehën të tronditur për ngjarjen. Familja Buci kishte ndërtuar banesën dhe dyqanin në Kamzë para 15 vitesh, kur erdhën nga Burreli, ndërsa Agimi para pak muajsh ishte kthyer nga Greqia, ku punonte në një kompani telefonike.
Gruaja ndodhet në spitalin e Traumës, bashkë me djalin 6 vjeç, nën shoqërinë e psikologut dhe mjekët thanë se është jashtë rrezikut për jetën.
Çifti Buci kishte edhe 3 vajza dhe shokët e klasës erdhën për ngushëllime. Policia ka vënë një shpërblim prej 5 milionë lekësh të reja për këdo ka informacion rreth 2 autorëve që përfituan edhe nga errësira për t’u larguar, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë.


