Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes së furgonit që transportonte para. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të 9 prillit 2019.
“Disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar” informoi policia e shtetit.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet furgon” vijon policia.
Sipas raportimeve paraprake në mjetin e blinduar ndodheshin 1.5 milion euro por ende nuk ka një shifër zyrtare për shumën e grabitur.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.
Gazetarët informojnë se uniformat blu kanë bllokuar aksin rrugor Rinas-Valias. Policia ka ngritur postoblloqe dhe në Kamëz dhe po kryen kontrolle.


