Disa orë pas incidentit, e ëma e Gert Shehut është marrë në pyetje nga oficerët e komisariatit nr1 në kryeqytet.
Për më shumë se tre orë nëna e 31-vjeçarit që goditi me grusht Sali Berishën ka dhënë dëshmi në Policinë e Shtetit. Dëshmia i është marrë pranë komisariatit nr.1 në Tiranë, por deri tani, nuk dihen detaje se çfarë ka deklaruar ajo konkretisht.
Për të shmangur ballafaqimin me median, nëna e Gert Shehut u transportua me automabulancë drejt Spitalit të Traumës, aty ku është shtruar i biri, pasi ky i fundit u dhunua nga mbështes të Sali Berishës në protestën e sotme.
Më herët, për mediat, nëna e Shehut i ka kërkuar falje edhe kreut të PD, Sali Berisha për incidentin që shkaktoi djali i saj gjatë protestës së opozitës.
Gert Shehu qëlloi me grusht Berishën në Bulevard, në një kohë që në Tiranë po mbahej edhe Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Menjëherë pas sulmit, agresori u qëllua dhe u mor nga demokratët e badigardët e Berishës në selinë e PD.
Prej andej, 31-vjeçari u shoqërua në komisariat e më pas në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore pas goditjeve që mori gjatë incidentit.
Pas verifikimit, rezultoi se Shehu vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Media siguroi edhe një epikrizë që tregon se i riu kurohej prej vitesh për çrregullime psikotike dhe ankth.
Policia bëri me dije gjithashtu se Gert Shehu është person me precedent të mëparshëm penal për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe narkotikë.


