• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 26 July, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

26 July, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
Gjyqi para gjykimit
Home
OP-ED

Gjyqi para gjykimit

26 November, 2025 s.autor OP-ED

Nga Roland Lami

Në Shqipëri, zakoni i rrjedhjes së informacionit, i ekspozimit selektiv të provave dhe ndërtimit të “gjyqeve popullore” përmes ekranit është shndërruar tashmë në një praktikë pothuajse të natyralizuar, e cila shpesh konsiderohet si pjesë e pandashme e kulturës mediatike.Mirëpo kur një shoqëri pretendon të jetë pjesë e familjes europiane të shtetit të së drejtës, ky normalitet bëhet simptomë e një devijimi të rrezikshëm. Aty ku institucione të reja si SPAK, të cilat duhej të shënonin një ndarje të fortë me të shkuarën, përfundojnë të bëhen pjesë e të njëjtit ritual, krijohet një paradoks moral dhe juridik që ngre pyetje të mëdha për cilësinë e drejtësisë dhe demokracisë tonë në tërësi.

Në thelb të këtij fenomeni qëndron një mekanizëm i vjetër dhe i njohur mirë në teorinë e së drejtës, ai i gjykimit publik i paraprirë nga opinioni i fabrikuar. Që në shekullin XIX, filozofi i së drejtës, Cesare Beccaria, paralajmëronte se dënimi pa gjykim është forma më primitive e pushtetit, sepse i jep turmës atributet që i takojnë vetëm gjykatës. Shembulli më i goditur i këtij transformimi është mënyra se si dosjet penale shpesh përfundojnë në studio televizive dhe gazeta më shpejt se në sallat e gjyqit, duke krijuar një realitet paralel ku mediat ndërtojnë narrativën e fajit dhe të pafajësisë para se të flasë gjykata.

Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë në nenet themelore ai i prezumimit të pafajësisë si një gur themeli i shtetit të së drejtës. Specifikisht neni 31 dhe 42 përcaktojnë qartësisht se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa një vendim të formës së prerë dhe se e drejta për gjykim të drejtë është e pacënueshme. Ndërkohë, rrjedhja e dosjeve, që në vetvete është një akt i paligjshëm, krijon një gjendje ku opinioni publik manipulohet, gjykata vihet nën presion, ndërsa individi qoftë ai i botës së krimit apo politikës humb mundësinë për të mbrojtur veten në një proces të barabartë.

Ka një ndryshim të dukshëm midis mënyrës se si trajtohen figurat e botës së krimit dhe personazhet politikë. Në rastin e të parëve, media ndjek logjikën e spektaklit, duke shfrytëzuar kureshtjen publike dhe duke riprodhuar modelimin e krimit si skenografi intrigash dhe misteri. Ndërsa kur bëhet fjalë për figurat politike, nxitimi për të shkatërruar reputacionin para gjykimit synon të prodhojë efekt politik, duke i dhënë publikut një lloj dënimi simbolik që shpesh është më i fortë se vendimi gjyqësor vetë. Sociologu gjerman Niklas Luhmann do ta quante këtë “procedurë të vërtetësisë së fabrikuar”, ku sistemi mediatik krijon realitete të reja që i paraprijnë të vërtetës juridike.

Kjo ndërthurje e institucioneve dhe mediave krijon atë që filozofi amerikan i së drejtës Ronald Dworkin e quante “shteti i cinizmit”, ku rregullat ekzistojnë më shumë për t’u cituar sesa për t’u zbatuar, ndërsa drejtësia varet jo nga procedura, por nga interpretimi që i jep masa. Kjo lloj drejtësie është thellësisht model ala shqiptar pasi modeli europian që synonte reforma në drejtësi bazohet te institucionet e pavarura që mbrojnë të drejtat individuale, jo që i sakrifikojnë ato për konsum publik.

SPAK, në këtë panoramë, gjendet në një pozicion të ndërlikuar. Nga njëra anë mbart pritshmëritë e larta të publikut për të luftuar korrupsionin dhe krimin, por nga ana tjetër duhet të ruajë integritetin procedural dhe etik që e dallon drejtësinë nga spektakli. Përplasja mes pritshmërive dhe detyrimeve ligjore është bërë terren i rrëshqitshëm, ku çdo rrjedhje dosjesh i qëllimshëm, për të stimuluar komente publike në media për figura politike dhe të botës së krimit bën hapa prapa në ndërtimin e një drejtësie moderne.

Nëse drejtësia kthehet në një instrument të gjykimit publik, atëherë siç thotë filozofi francez Michel Foucault, ajo humbet rolin e saj dhe i shndërrohet shoqërisë në teatër disipline. Dhe ndryshimi mes teatrit dhe drejtësisë është se në teatër, publiku duartroket, por në drejtësi publiku nuk duhej të kishte rol në përcaktimin e masës së dënimit.

Shqipëria do të mund të quhet pjesë e kulturës europiane juridike vetëm kur individi të mbrohet nga interesi i turmës, kur mediat të mos sillen si gjykata dhe kur institucionet e drejtësisë të mos bien pre e cinizmit të tranzicionit. Pa këtë transformim, çdo reformë mbetet vetëm një fasadë që e riprodhon të shkuarën në një formë të re.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MOTI I KEQ/ Niveli i ujit në shtratin e lumit Drin pranë kuotës maksimale
Previous article DOSSIER/ Raporti i agjentit “Mësuesi”, për oficerin e Sigurimit: Myzafer Trebeshina më tha se Sulo Tragjasin e vramë, pasi ai me shokun e tij, Petro Ndreu, donin...

s.autor

Postime të ngjashme

Artur Shehu dhe zinxhiri i pronave në Zvërnec OP-ED

Artur Shehu dhe zinxhiri i pronave në Zvërnec

Lamtumirë heroi ynë! OP-ED

Lamtumirë heroi ynë!

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT