Në Gjykatën e Posaçme u mbajt këtë të mërkurë seanca e parë në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj, pas ndarjes së çështjes për 11 të pandehur të së njëjtës dosje, të cilët do të gjykohen me procedurë të zakonshme. Vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në gjyq, ndërsa u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Në deklaratën e dërguar për gjykatën, Veliaj argumentoi se nuk mori pjesë në seancë pasi, sipas tij, mbajtja në kafaz është e paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.
Në seancë munguan avokatët Maks Haxhia, Dritan Jahaj, Aranit Rroshi dhe Artit Cami. Për këtë arsye, prokurori i posaçëm Ols Dado kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se në këto kushte procesi nuk mund të zhvillohet normalisht. GJKKO pranoi kërkesën, shtyu seancën dhe vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, i vetmi i pandehur me masë sigurie.
Mbrojtja e Veliajt kundërshtoi shtyrjen e senacës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit.
“I mbrojturi prej meje nuk është bërë asnjëherë pengesë për vijimin e gjykimit, madje në deklaratën që lexuat ai thotë se nuk do paraqitet por do të përfaqësohet prej meje. Nuk ka pse i pezullohen afatet e paraburgimit”, tha Ndreca.
Edhe në këtë seancë, kamerat u lejuan vetëm në nisje të gjyqit, për pak minuta, gjatë diskutimeve teknike të procesit. Kryesuesja e treshes gjykuese, Elsa Ulliri, vendosi që operatorët të dalin jashtë, dhe seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erjon Veliaj, të mos filmohet.
GJKKO urdhëroi qw Veliajt t’i jepen 24 nga 61 fashikujt e dosjes.
Të pandehurit me proces normal
Erion Veliaj
Ajola Xoxa
Gentian Sula
Meriman Palushi
Shkëlqim Fusha
Sokol Kryeziu
Linda Kazani
Erald Simixhiu
Ina Goxhaj
Valmir Xoxa
Flutura Xhani


