Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt (CSU) planifikon t’ia paraqesë kabinetit të mërkurën projektligj për të kufizuar ribashkimin familjar për disa kategori refugjatësh. Ministria e Brendshme i konfirmoi agjencisë gjermane të lajmeve dpa (Deutsche Presse-Agentur) një informacion për këtë çështje të botuar nga gazeta Bild am Sonntag. Siç është rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit qeveritar mes CDU/CSU dhe SPD, refugjatët me status të kufizuar nuk do të lejohen për dy vjet të sjellin në Gjermani pjesëtarët e familjes së tyre. Përjashtohen rastet jashtëzakonisht të rënda.
Ribashkimi familjar i mundur që nga viti 2018
Ribashkimi familjar për refugjatët pa status azili ishte pezulluar midis marsit 2016 dhe korrikut 2018 nga koalicioni midis konservatorëve (CDU/CSU) dhe Socialdemokratëve (SPD). Arsyeja e dhënë në atë kohë ishte shmangia e mbingarkesës në pritje dhe në integrim. Që nga gushti 2018, një numër prej 1000 personash në muaj janë lejuar të hyjnë në Gjermani si pjesëtarë të familjeve të personave me këtë status mbrojtjeje.
Protestë nga organizatat joqeveritare
Marrëveshja e koalicionit e vitit 2021 midis SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së në fakt përcaktonte që ribashkimi familjar do të ishte i mundur përsëri pa kufizime për njerëzit në këtë grup. Megjithatë, ky plan nuk u zbatua kurrë. Më shumë se 30 organizata joqeveritare i kanë bërë thirrje qeverisë federale të braktisë planet për të kufizuar ribashkimin familjar për refugjatët dhe në vend të kësaj ta zgjerojë atë./DW


