Një sulmues i armatosur në stacionin kryesor hekurudhor të Këlnit është vënë në kontroll dhe gruaja që u mor peng, është dërguar për trajtim mjekësor.
Policia gjermane ka raportuar se ajo ka marrë plagë të lehta në incident, ndërsa sulmuesi plagë serioze.
Policia, e cituar nga gazeta e përditshme Koelner Stadt-Anzeiger, ka bërë të ditur se një burrë është grindur me bashkëshorten e tij në një restorant McDonald’s, përpara se ta mbante atë peng në një farmaci në stacion.
Policia e ka evakuuar plotësisht stacionin, i cili është një nga qendrat më të mëdha të transportit në Gjermani.
Mediat lokale raportojnë se incidenti nuk duket se është i lidhur me terrorizëm, ndonëse raportet flasin edhe për një shpërthim gjatë incidentit.
Kompania hekurudhore Deutsche Bahn i ka anuluar dhe shtyer shërbimet e trenave në Këln gjatë pengmarrjes.