Gjendet i vrarë në një kanal Ded Shkreta, 63-vjeçari i denoncuar i zhdukur nga familjarët prej datës 25 janar të këtij viti. Viktima ka shenja plage në trup dhe kokë të shkaktuara nga sende të forta, të cilat i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Ai është gjetur i pajetë në fshatin Adriatik, pranë Mamurrasit mesditën e kësaj të shtune. Familjarët e tij e shpallën në kërkim pak ditë më parë në emisionin “Pa Gjurmë”, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij.
Saga e hakmarrjes mes familjeve Shkreta dhe Llanaj
Familja e Shkretës ishte në hasmësi me familjen Llanaj gjithashtu në Mamurras, çka shton dyshimet se krimi mund të jetë kryer për gjakmarrje. Disa vite më parë dy prej familjarëve të xhaxhait të Ded Shkretës, Alban dhe Altin Shkreta hapin zjarr ndaj Muharrem Llanajt, ku i vdekur mbeti nipi i tij i mitur, Endri Llanaj, 9 vjeç, djali i Jetmir Llanajt. Kjo ngjarje e regjistruar në qershor 2012, futi në gjak dy familjet. Altin Shkreta u dënua me 25 vite burg, ndërsa Alban Shkreta me burgim të përjetshëm. Jetmir Llanaj u betua mbi varrin e të birit se do hakmerrej.
Dhe hakmarrja nuk vonon pasi në nëntor të 2012-ës, iu bëhet atentat me armë zjarri dy vëllezërve Shkreta, Arjan (Gentian) Shkreta, Ledi (Emanuel) Shkreta. I pari humbi jetën në vend, ndërsa i dyti mbeti i plagosur rëndë. Si autorë u identifikuan dhe më pas arrestuan Jetmir Llanaj dhe vëllai i tij, Muharrem Llanaj, të cilët u dënuan me nga 25 vite burg. Por hakmarrja e Llanajve nuk është ndalur me kaq dhe ka goditur edhe kushëririn e familjes në gjak, duke i marrë jetën 63-vjeçarit të sëmurë me sklerozë, Ded Shkreta. Ai është vrarë dhe më pas hedhur në kanal, ku u gjet nga familjarët e tij.
Ded Shkreta mori furgonin te Kthesa e Kamzës dhe zbriti në Fushë Mamurras ku humbi gjurmët
Sipas djalit të tij, Ermal Shkreta, Deda vuante nga skleroza dhe ai shpresonte se 63-vjeçari nuk ishte kthyer në banesë për shkak të sëmundjes, duke përjashtuar si pistë çdo gjatë tjetër që mund të kishte lidhje me zhdukjen e tij. Për herë të fundit, Ded Shkreta ishte parë te Kthesa e Kamzës në datën 25 janar, teksa hipte në një furgon i cili ka ndaluar në Mamurras, si stacion i fundit.
“Ne mendonim se ai ishte nisur për në Laç, por pasi pyetëm drejtuesin e furgonit, u njoftuam se ai kishte mbërritur në Mamurras”, u shpreh Ermal Shkreta, i cili tregoi më pas se ka kontrolluar gjithandej për të atin dhe se gjurma më e fundit prej tij i ka rezultuar në Fushë-Mamurras Adriatik. “Përmes pamjeve filmike të një kamere, e kemi parë se ai ka kaluar në Fushë-Mamurras në orën 17:20 të darkës”, tha ai. Pikërisht pranë këtij fshati, në një kanal anash rrugës, Ded Shkreta është gjetur i pajetë dhe me plagë në trup.


