Të gjithë e mbajnë mend zhurmën që u bë kur gazetarja Alida Tota u shkarkua nga puna në vitin 2016, në muajin gusht, ndërsa po investigonte vdekjen në mënyrë tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Drejtoresha e Informacionit të ”A1 News”, televizion i mbyllur për shkak të financimeve, ka fituar gjyqin pjesërisht me administratorin e këtij televizioni, Neritan Gjojdeshi.
Neritan Gjodeshi është pronari i ”A1 News” që bllokoi investigimin tronditës për kushtet çnjerëzore në landfillin e Sharrës, ku u vra Ardit Gjoklaj dhe shkarkoi nga puna drejtoreshën e Informacionit Alida Tota.
Megjithatë edhe pse nuk u lejua të transmetohej në media, materiali filmik u shpërnda në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagim të fortë.
Në gjyqin përballë pronarëve të medias Gjykata e Shkallës së Parë, pranoi detyrimin financiar ndaj gazetares ndërsa nuk pranoi faktin ajo ishte ishte shkarkuar pa ndonjë shkak të arsyeshëm. Por përveç censurës, Tota paraqiti në seancë gjyqësore një vërtetim për pagën e saj reale prej 100 mijë lekësh të reja, ndërsa në Sigurimet Shoqërore, kontributet ishin derdhur për pagën prej 22 mijë lekësh të reja.
Gjykata vlerësoi se ajo nuk është paguar plotësisht për punën e saj duke marrë vendimin që ” A1 News” të paguajë detyrimin prej 613,828 lekësh (të reja) ndaj gazetares Alida Tota.
Në një prononcim për “Shuplakën”, Alida Tota shprehet se kjo është një fitore e pjesshme e lirisë së shtypit në Shqipëri, ndërsa beteja vazhdon.
“Është një fitore e pjesshme e lirisë së shtypit në Shqipëri. Por beteja kundër censurës vazhdon! Gjykatat nuk arrijnë të prekin ” folenë e kontrollit mediatik” që nis nga zyra e Kryebashkiakut dhe zgjatohet në gjitha selitë qeveritare përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” që në këto kohë ka më shumë “dëshmorë” të censurës !”, thotë Tota.
Megjithatë edhe pse Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i bërë publik në seancën gjyqësore, dënonte fuqimisht shkarkimin nga puna, pa motivacion, të gazetares Alida Tota, ku sipas raportit shkak është bërë investigimi ndaj Bashkisë së Tiranës dhe presioni i ushtruar nga administratori i A1 News, Neritan Gjojdeshi, Gjykata nuk i dha të drejtën e “shkarkimit pa motivacion” gazetares Alida Tota.
Alida Tota, një gazetare shqiptar me përvojë, e cila kishte punuar si redaktore e lajmeve në ”A1 News” në Tiranë u shkarkua nga puna e saj dhe filmimi u censurua sipas dëshmive pas një ndërhyrje direkte të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në gusht 2016, ajo drejtoi një investigim mbi landfillin e mbeturinave në Tiranë pas vdekjes tragjike të një punëtori adoleshent, si pasojë e kushteve të tmerrshme të punës në mungesë të ndonjë kontrate pune, sigurimi ose masave të sigurisë.
Një kontratë, që ajo dyshonte të ishte e paligjshme, midis kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe operatorit të landfillit privat, e cila ishte gjithashtu e ekspozuar në filmim.
Ky sigurisht është një lajm i mirë për lirinë e medias shqiptare nga pushteti por edhe një fitore ndaj shkeljeve të të drejtave që i’u bëhet gazetarëve nga pronarët e mediave.
(Shuplaka)



