Nuk e kam të qartë se ç’dreqin do Prokuroria e Republikës së Shqipërisë që “fut hundët” në një vepër penale të kryer në territorin Italian, gjë që duke qenë në kompetencat e institucioneve përkatëse të shtetit italian është trajtuar e po vazhdon të trajtohet prej këtyre, pavarësisht se disa nga autorët e veprës në fjalë janë shtetas të Shqipërisë. Në rrethana të tilla edhe pse nga përgjimet dyshohet të jetë implikuar dhe ish-ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri, kjo nuk ka pse të shërbejë si dritë jeshile që prokuroria shqiptare të involvohet pa i a kërkuar kush, në diçka që është totalisht kompetencë e shtetit Italian. Ndryshe është puna nëse angazhimi i prokurorisë apo policisë shqiptare do të ishte inicuar pas ndonjë kërkese zyrtare nga autoritetet përkatëse italiane, siç është operuar në rastin e disa aksioneve policore të koordinuara midis policive të të dy vendeve. Madje, deputetët socialistë, më shumë se “provat”, do të ishte mirë tu kërkonin prokurorëve të krimeve të rënda nndonjë autorizim, kërkesë a fletë porosi dërguar nga pala italiane për të fillluar procedimin ndaj ish-ministrit, Tahiri për bashkëpunimin e supozuar me grupin “Habilaj”, siç duket nga fregmente të përgjimeve të kryera prej palës italiane . Interferenca e njëanshme në një proces në zhvillim e sipër nga autoritetet e vendit fqinj, pa kërkesën e këtyre të fundit, më shumë gjasa ka të prishë punë, duke filluar me dekonspirimin shembujt për të cilin janë të shumtë ose dhe me sabotimin e proceseve dhe mbylljen e tyre sipas stilit “made in Albania”, ku faji mbetet jetim pasi akuzat në fund të ditës rezultojnë” të pambështetura në ligj”. Nga ana tjetër, nxitimi për t’i kërkuar parlamentit lejen per të arrestuar ish-ministrin, vetëm pak orë pas publikimit të përgjimeeve të kryera prej italianëve, të krijon përshtypjen se drejtues të prokurorisë po mundohen t’u shërbejnë atyre qarqeve të politikës, të cilëve u intereson koka e Tahirit. Personalisht, kam bindjen se ish-ministri i brendshëm, ka jo pak përgjegjësi për atë që tashmë është quajtur “kanabizim” i vendit apo edhe për lidhje me trafikantë. Këtë bindje më shumë se nga epidemia e kultivimit të kanabisit që shpërtheu fill pas goditjes së Lazaratit, apo atyre që thotë opozita, e kam konsoliduar pas shkarkimit të Saimir Tahirit nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili deri në atë moment, e kishte vlerësuar e propaganduar si ministrin më të suksesshëm të qeverisë së Rilindjes. Justiffikimi i Ramës për shkarkimin e tij, duke e sakrifikuar me pretekstin e “drejtimit të fushatës elektorale” në Tiranë, nuk kishte as sensin më minimal. Si mund të shkarkohet një ministër i sukseshëm në luftën kundër krimit në një kohë kur krimi po rrezikon kapjen e vetë shtetit. Në të kundërt, duke konsideruar si të vërteta akuzat e opozitës për Tahirin dhe segmente të policisë që bashkëpunonin me boss-ë të narkotrafikut caktimi i tij në drejtimin e fushatës në Tiranë i jepte dhe një lloj besueshhmërie akuzës për blerje të votve me paratë e drogës. Nga ana tjetër, nuk mund të neglizhohej dhe paralajmërimi i Ylli Manjanit, athere ministër i drejtësisë, sipas të cillit shkarkimin e Tahirit Ramës i a kishin kërkuar dhe partnerët ndërkombëtarë. Në fund, spastrimet në masë të filluara nga pasardhësi i Tahirit, Xhafaj në radhët e drejtuesve lokalë të policisë përbën një tjetër argument në mbështetje të dyshimeve për rolin e segmenteve të policisë së Tahirit në trafikun e lëndëve narkoltike. Gjithashtu, beteja e zhvilluar gjatë këtyre ditëve në parlament lidhur me imunitetin e ish-ministrit, i ka kompromentuar të dyja palët; si shumicën e angazhuar në mbrojtjen me fanatizëm të ish-ministrit, ashtu dhe krahun tjetër të mobilizuar në kërkim të kokës së tij. Kjo sepse, pas Tahirit, mendohet se do të jetë radha e Ramës, të paktën duke u detyruar të dorëhiqet si mbrojtësi më i madh i beniaminit të tij, Tahiri. Së fundi, është këmbëngulja e vetë Tahirit për të mos u “dorëzuar”, ajo që u shton dozën e besimit hamendësimeve lidhur me implikimin e tij në aktivitete të paligjshme duke shfrytëzuar pozitën si ministër apo duke mos pikasur bashkëpunimin e disa shefave policie me bandat e narkotrafikantëve. Ndoshta për të do të kishte qenë shumë më e dobishme të pranonte çdo lloj kërkese të ardhur nga drejtësia; të paktën duke u shprehur i gatshëm të bashkëpunonte me drejtësinë italiane. Nga ky këndvështrim, një Tahir i pastër, pas përfundimit të odisesë me drejtësinë e diskredituar shqiptare, jo vetëm do të dilte më i fortë, por do të kontribuonte duke i dhënë një grusht të fuqishëm kësaj drejtësie problematike, tashmë objekt dhe i faktorit ndërkombëtar.