Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho janë 4 prokurorët e SPAK që kanë dorëzuar deri më tani në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) aplikimin për kandidat për postin e kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
I pari që ka dorëzuar ditën e djeshme aplikimin ishte Elvin Gogaj, ndërsa sot kanë depozituar kërkesën dhe Xholi, Musabellliu dhe Braho.
Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj.
Pasi bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.
Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.
Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.


