“GAME OF THONË”/ (Sezoni 2, Episodi 7)
“Ose do të thyhet veza jonë, ose veza e tyre”!
Nga Alfred Peza
“Kryearkitekti” siç e thërrisnin njerëzit e oborrit të mbajtësit të “Fronit të Shpatave”, e kishte marë këtë “nickname” me kalimin e shumë e shumë viteve dhe dekadave. Edhe pamjen e kishte si të një shkëmbi të gdhendur, nga dalta e errërave, që nuk e kishin kursyer për asnjë arësye. Por me sa duket, tek ai u kishte qëlluar një aq gur i fortë, sa ato nuk donin që të dorëzoheshin. Ndaj, vazhdonin e vazhdonin papushim, të gdhendnin pa u ndalur rrudhat e tij.
Ai ishte personi që kishte qenë qysh herët, në burimin e arësyeve dhe ishte bërë garancia nga ku buronte, pushteti real i Kurormbajtësit të sotëm. E kishte fituar statusin e “kryegargardianit” të asaj pjese që mbështeste Edi Ramën, në luftra dhe në paqe. Në ditët më të mira dhe në ato më të vështirat. Kishte pritur e përcjellë shumë njerëz që hynin e dlinin në oborrin e pushtetit të tyre. Që nga ish kurormbajtësit, pretendentët për “Fronin…”, Princërit dhe kandidatë për Princër, ushtarë gjithfarësh, komandantë e gjeneralë,- të gjithë kishin parakaluar përpara tij. Ndaj tashmë ishte, memoria dhe arkiva lëvizëse, e kësaj ane të pushtetit.
Nuk ishte fans i “Game of Thrones”. As i shumë gjërave të tjera të kësaj natyre, që i nënçmonte pa përçmim. Ishte fans i klasikes. Sa më shumë i largoheshin asaj, aq më shumë gjithkush, kishte humbur shikimin e tij. Por për çudinë e gjithë ndjekësve fanatikë të sagës epike, ai thonte më shumë fraza të serialit, sa ata të gjithë bashkë. Aq sa “Kurormbajtësi” kishte nisur të besonte se, “nuk e kuptoj se si, por e sigurtë është se “Kryearkitekti” im, duhet të ketë qenë “muza” e filmit!”
“Liri do të thotë të bëjmë zgjedhjet tona”,- përsëriste shpesh ai për të vetët. E duke shtuar për kundërshtarët, se “frika të prêt më tepër se shpata”. Ishte kundër korruptimit për pushtet. Nëse të gjitha rrugët e tjera për zgjidhjen e krizave dështonin, ai ishte bërë gati për luftë. Nuk ishte nga ata që zgjidhte njëherë kundërshtarët dhe pastaj të fitonte. Jo. Ai zgjidhte të fitonte gjithmonë, pavarësisht se kë kishte kundërshtar.
“Paraja blen heshtjen e një burri për një farë kohe. Një shigjetë në zemër, e blen përgjithmonë”,- ishte moto e tij, sikundër dhe një tjetër, të cilën disa nga Princat e rinj, e përdornin më shumë në bisedat e tyre erotike me oborrtaret: “Nëse do një kurvë, blije. Nëse do një Mbretëreshë, fitoje!”
Ndaj kur ai u ul përpara katër të tjerëve të “Këshillit të të Pestëve”, megjithëse ata kishin punuar për 7 ditë e 7 netët më të pagjuma të jetës së tyre, sërisht prisnin të dëgjonin gojëhapur, fjalët e tij. Ai vetë kishte kohë që ishte bërë koshient për këtë pozitë ku ndodhej. Por i kishte ardhur aq natyrshëm ngjitja në këtë lartësi, sa i ishte shndërruar në një mënyrë jetese.
“Deri më 30 Qershor, është e sigurtë se për herë të parë në histori, dera e dialogut është e mbyllur. Akush nuk duhet të ketë më asnjë iluzion: Lufta është e pashmangshme. “Mbreti plak” i sfidantëve të “Fronit të Shpatave” ka qenë shumë i qartë me të vetët: “Çelësin e asaj dere e kam unë dhe mund ta merni për ta hapur, vetëm nëse do kaloni mbi trupin tim”. Kur Lulzim Basha ka nisr për të thënë diçka nëpër dhëmbë, ai i është kthyer duke iu hakërryer si kurrë më pare, në prani të të tjerëve:
“Mos guxo të më tradhëtosh. Nëse e bën do ta pres penisin, dhe do e mbaj të varur në qafën time”, bashkë me çelësin!
Heshtja në atë zyrë të vogël por komode, ishte bërë aq e thellë, sa të katër kishin nisur të dëgjonin gjithmonë e më fort, rrahjet e zemrave të njëri- tjetrit.
“Kjo është një lojë “All In”. “Për të gjitha”,- ka thënë Sali Berisha. Pra, “ose të gjitha, ose asgjë. Ose do shkrihet Edi Rama, ose do të shkrihemi ne. Rrugë të mesme nuk ka”.
Nuk ka qenë zgjedhja jonë, por zgjidhja e vetme e ofruar prej tyre. Ndaj, kjo nuk është lojë. Por, një luftë finale. I vetmi element loje në gjithë këtë, është se ajo i ngjan tashmë dy njerëzve, Edi Ramës dhe Sali Berishës, që nisen për ti thyer vezën njeri tjetrit. Këtë radhë, ose do thyhet veza jonë, ose do thyhet veza e tyre.
Koha filloi!
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!
E shtunë, 18 MAJ 2019
(Vijon nga 1 maj)