Asambleja e Partisë socialiste më 28 dhjetor të vitit që lamë pas do të mbahet mend jo vetëm për shkarkimin e papritur të plot tetë ministrave, por edhe për fjalën e Ramës kundrejt administratës dhe drejtorëve të vendosur, pjesë e korrupsionit pasiv.
Që prej atij momenti, qeveria ka vijuar me punën kur vetëm në ditët e fundit kemi pesë drejtorë të shkarkuar për argumenta të cilat kryeministri I paralajmëroi.
“Fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër, qeveria nuk janë ministrat, qeveria e PS janë ata që në përfaqësojnë në territor. Më vjen shumë mirë dhe është një nga gjërat më të mirëseardhura të studentëve që na u dha mundësi që me një vendim qeverie të hapim të gjithë axhendën e punës, qoftë në shërbim të tyre dhe administratës shtetërore për ata me 9 e dhjeta. Harrojeni përfundimisht që do ketë miq, shok, krushq, vëllezër, motra, hallave, dajave, krushq që do futen në administrata”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Asamble.
Shkarkohet drejtori i ARSH
Afrim Qendro është shkarkuar nga detyra si drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në postin e lënë bosh do të emërohet ish-ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato, që më herët ka qenë edhe në krye të Agjencisë së kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Rama shkarkon drejtorin e Hipotekës Durrës, pas kamerës në emisionin investigativ
Pas denoncimit të Fiks Fare lidhur me drejtorin e Hipotekës së Durrësit, kryeministri Edi Rama në një dalje për media sot ka zbuluar vendimin e shkarkimit.
Ai tha se rasti i drejtorit ka vetëm një përcaktim “halabak”.
“Po trajtojmë hallet tona me njerëz të padenjë, siç ishte rasti i djeshëm, i drejtorit që ka vetëm një përcaktim, halabak. Për të është marrë menjëherë vendimi i shkarkimit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do ta komunikojë këtë vendim”, u shpreh Rama.
Shkarkohet drejtori i Portit të Durrësit
Drejtori i Portit të Durrësit Afrim Bakaj është shkarkuar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belina Balluku. Bakaj mbante këtë detyrë prej disa muajsh.
Në vendin e tij është emëruar Genti Tare.
Shkarkohet drejtori i OST
Shkarkohet nga detyra Klodian Gradeci, drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OST).
Ndërkohë drejtor i ri është vendosur Skerdi Drenova, një nga ish zv.drejtorët e rëndësishëm të Televizionit Top Channel.
Ministrja Shahini pezullon drejtoreshën e zyrës arsimore Mat
Ankesat dhe denoncimet në portalin e bashkëqeverisjes janë bërë shkak që drejtuesja e zyrës arsimore rajonale në Mat të pezullohet nga puna.
Besa Shahini: Morëm shkas nga një emision televiziv ku ishte raportuar për një mësuese e cila udhëtonte gati dy orë në këmbë për të shkuar në shkollë. Ajo kishte kërkuar të transferohej tek një shkollë më afër shtëpisë së saj por Zyra Arsimore Mat, që është në qarkun Dibër, nuk e kishte sistemuar diku më afër shtëpisë së saj. Në fakt ne e hapëm pak portalin për të parë se sa ankesa ka pasur në përgjithësi për zyrën arsimore Mat dhe ishin në total 41 ankesa gjatë vitit të kaluar për zyrën arsimore Mat, për një zyrë të vogël që i shërben 30 shkollave dhe diku 600 mësueseve është një numër rekord ankesash.
Përgatiti: AlpeNews.al