Kryeministri Edi Rama sqaroi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion, ftesën që i drejtoi pak ditë më parë Lulzim Bashës për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 25 Prillit.
Blendi Fevziu: Si e shihni ju bashkëpunimin me Bashën?
Edi Rama: Unë mendoj që me fitoren e PS me 25 Prill dhe me daljen nga tuneli i pandemisë, ne duhet të bëjmë çmos të dalim edhe nga tuneli i pandemisë politike që na ka nxirën jetën gjithë këto vite. Për Shqipërinë është një problem shumë i madh dhe duhet të shkojmë përtej politikës së deritanishme, duke e civilizuar politikën, duke e ndërtuar bashkëpunimin midis fituesve dhe humbësve të 25 Prillit që do të thotë mes PS dhe PD, se LSI nuk e kam fare në këtë ekuacion, në mënyrë që energjitë tona të bashkohen për të çuar përpara projektet që kemi dhe për të përballuar sfidat e mëdha.
Blendi Fevziu: Në çfarë forme bashkohen energjitë tuaja?
Edi Rama: Bashkëpunimi, midis qeverisë dhe opozitës, unë mendoj që bëhet i mundur në momentin kur PD merr goditjen e radhës, pra do humbasë për herën e tretë që i bie në fakt hera e pestë se ka humbur 5 herë rresht që nga viti 2013. Në atë moment unë shpresoj që PD do të reflektojë më në fund lidhur me vetveten dhe do të kuptojë që politika bjeri t’i biem të gjithë në një vrimë dhe nga vrima del dhe gryka e pushkës, vret dhe njerëz, nuk të çon asgjëkundi jo më në pushtet, dhe do të jetë e hapur për të ndërtuar një proces bashkëpunimi.
Blendi Fevziu: Në bashkëqeverisje apo jashtë?
Edi Rama: Po cila bashkëqeverisje? Ndërtohet njëherë bashkëqeverisja midis qeverisë dhe opozitës, nuk do të thotë të dyja palët ulur në qeveri. Do të thotë një frymë, që po duhet bashkëpunuar, po duhet shkruar përtej kësaj marrëzie, po duhet t’i vëmë energjitë në funksion të shqiptarëve, dhe jo sherreve mes nesh, duhet t’u japim arsye të besojnë tek Shqipëria, të energjizohen me gjërat që bëjmë. Pastaj mbi ketë frymë vendosen parimet, piketat se ku duhet të shkojmë më tutje duke vënë forcat bashkë në aspektin e reformave, e pastaj në proces, janë hapa që kërkojnë vite këto…
Blendi Fevziu: Më pas, deri ku shkon ky proces?
Edi Rama: Nuk i ve limit unë fare.
Blendi Fevziu: Nuk i vini limit, edhe bashkëqeverisjen e përfshini?
Edi Rama: Absolutisht. Nuk ve asnjë limit./tvklan.


