Sektori i Edukimit Teknik pranë FSHF-së nis në muajin dhjetor një kurs specifik, jo për trajnerë, por për profilin e “drejtorëve sportivë” (shefat e klubeve). Nga data 4 deri më 23 dhjetor, në Shkollën e Trajnerëve në Kamzë, ku kryhen të gjitha kurset e liçensimit, do të realizohet edhe kursi “drejtor sportiv ” me të gjithë shefat aktualë të klubeve të futbollit në Shqipëri, apo edhe drejtorët aktualë sportivë. Referime teorike dhe në fund një bashkëbisedim në të gjithë këtë periudhë të kursit, me tema të natyrave të ndryshme.
Që nga liçensimi i futbollistit, liçensat ndërkombëtare, pjesa e bilanceve administrative në punën e drejtorit sportiv të një klubi, rregulli publik, organizimi i stadiumeve, principet e komunikimit dhe kriteret e përzgjedhjes, pjesa e agjentit të futbollistit, sociologjia në futboll etj. do të jenë baza e referimeve nga lektorë të ndryshëm. Në fund për të gjithë pjesëmarrësit në kurs, drejtorë aktualë të klubeve sportive në vend, do të akordohet edhe liçensa përkatëse.


