Makina me të cilën polakët po udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra në greminë në fshatin Bizë të Ishmit. Si pasojë e aksidentit turistët kanë marrë plagë dhe fraktura të shumta.
-Një fuoristradë me nëntë turistë polakë është aksidentuar pasditen e djeshme rreth orës 18:00 në fshatin Bizë të Ishmit. Makina me të cilën ata po ktheheshin nga plazhi i Bizës në Gjirin e Lalzit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar rreth 30 metra në greminë.
Report Tv ka siguruar pamjet e momentit kur makina është nxjerrë nga gremina ku përfundoi. Si pasojë e aksidentit turistët kanë marrë plagë dhe fraktura të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Në ndihmë të tyre kanë vajtur forca të shumta policie dhe 4 autoambulanca nga Durrësi. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit dhe pas kontrolleve janë larguar në gjendje të mirë.
Ngjarja nuk është bërë publike nga policia me argumentin se është konsideruar e lehtë. Sipas policisë së Durrësit makina u batua në një hendek për pakujdesi të drejtuesit të mjetit si pasojë e mos njohjes së terrenit nga turistët polakë.


