Memorie.al publikon katër foto të rralla të mesit të viteve ’70-të ku Enver Hoxha me anëtarët e Byrosë Politike janë duke diskutuar me tone të larta para maketit të Qëndrës së Tiranës, pas vendimit që ishte marrë për prishjen e godinës së Komitetit Ekzekutiv (ish-Bashkia e kohës së Monarkisë) dhe për ndërtimin aty të godinës së Muzeut Historik Kombëtar…
Nga Dashnor Kaloçi
Qëndra e kryeqytetit shqiptar, Tiranës (dhe në veçanëti sheshi “Skënderbej”) e cila pas viteve ’90-të e deri më sot është bërë një “mollë sherri” midis dy forcave kryesore që kanë dominuar skenën politike shqiptare, duket se ka qenë një problem tejet i rëndësishëm, madje madhor do të thoshim edhe para viteve ’90-të, ne periudhën e regjimit komunist. Ku për ndërtimet, prishjet apo rregullimet e ndryshme që ia janë bërë atij sheshi (që u projektua dhe u ndërtua që në mesin e viteve ’30-të nga arkitektët e famshëm italianë Florestano de Fausto e Gherardo Bosio), jepte mendimin, apo më saktë vendoste vetë kreu i shtetit komunist, Enver Hoxha.
Veç të tjerash kjo gjë duket qartë dhe në këto foto që Memorie.al, po i publikon për lexuesit e saj, ku shihet qartë Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe e Byrosë Politike duke diskutuar para maketit të qëndrës së kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Kështu përveç Enver Hoxhës dhe kryeministrit Mehmet Shehu, aty dallohen qartë dhe pothuaj të gjithë anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Manush Myftiu, Spiro Koleka, Haki Toska, Rita Marko, Kadri Hazbiu, Adil Çarçani, Pilo Peristeri, Vangjel Çerava, etj.
Përveç tyre aty duket dhe Ndue Marashi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i cili pak kohë më vonë, (në nëntorin e vitit 1977) do të gjendej i vdekur në rrethana misterioze në shtëpinë e tij (afër Shkollës së Kuqe), ku versioni zyrtar ishte; “vetëvrasje”, duke u akuzuar apo implikuar për ngjarjen e “Lopëve të Baldushkut”.
Fotot në fjalë i përkasin periudhës së fundit të vitit 1975 apo fillimit të vitit 1976, pasi aty mungojnë dy zv/kryeministrat, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, (si dhe ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, që sapo ishin arrestuar dhe do të dënohej me 25 vjet) dhe do të ekzekutoheshin me pushkatim pak kohë më vonë, ashtu si dhe Beqir Balluku me Petrit Dumen, të cilët ishin goditur dhe ekzekutuar pak muaj më parë.
Prania e Enver Hoxhës dhe krerëve kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së që shikohen duke diskutuar para maketit të qëndrës së Tiranës, duket se ka të bëjë me vendimin që ishte marrë për prishjen e godinës së Komitetit Ekzekutiv dhe një pjese të qëndrës së Tiranës, e konkretisht banesave që gjendeshin në pjesën veri-lindore të sheshit “Skënderbej”, ku do të ndërtohej më pas Muzeu Historik Kombëtar.
Por nuk ishte kjo ndërhyrja e parë që i bëhej qëndrës së Tiranës dhe sheshit “Skënderbej” pasi siç dihet ajo gjë kishte filluar që në fundin e viteve ’50-të, kur aty u prishën dhe u rrafshuan shumë banesa të pazarit karakteristik të Tiranës e Katedrales Orthodokse, për t’u ndërtuar pallati i Madh i Kulturës (model dhe projekt sovjetik), ku gurin e parë pati “fatin” ta vinte vetë kreu i Kremlinit, Nikita Hrushovi.
Siç shihet dhe nga fotot në fjalë, diktatori komunist Enver Hoxha duket që ka pasur shumë vërejtje për projektin që është paraqitur aty, pasi ai është i shpërfytyruar në fytyrë e me sy të zgurdulluar duke folur me tone të larta, gjë e cila është një pamje e jashtëzakonëshme që nuk ndeshet në asnjë nga mijra e mijra fotot që ndodhen në arkivin e tij personal.
Ndërsa Enveri është në kulmin e zëmërimit (gjë e cila duket dhe në foton ku është me duar në xhepa, tjetër xhest i tij që thonë se e bënte kur ishte i acaruar), pjesa tjetër e “shokëve të udhëheqjes”, rrinë e dëgjojnë atë me duart e lidhura pas kurrizit, kurse tre katër të tjerë, mbajnë shënime në blloqet apo letra të bardha duke shkruar në këmbë, ashtu siç ndodhte rëndom asokohe në hierarkinë partiake e shtetërore.
Duke se vendimi përfundimtar për prishjen dhe riorganizimin e ndërtimeve dhe banesave ekzistuese të atij sheshi dhe në përgjithësi të qëndrës së Tiranës në atë kohë, Enver Hoxha e ka marrë me Spiro Kolekën, (me profesion inxhinier ndërtimi), i cili për vite me rradhë, përveçse anëtar i Byrosë Politike, kishte pasur detyra të larta shtetërore si: zv/kryeministër, Ministër i Ndërtimit, etj.
Përveç Kolekës që duket më afër “shokut Enver” dhe “një hap para” pjesës tjetër të Byrosë Politike, aty dallohen edhe Ndue Marashi, Rrahman Hanku, Pilo Peristeri dhe kryearkitiketi i Tiranës, Sokrat Mosko, (dallohet në mes Rrahman Hankut dhe Ndue Marashit, duke mbajtur shënime), të cilat gjithashtu duket se janë pjesë e “vendimarrjes” për qëndrën e Tiranës, që rrafshoi nga themelet godinën e ish-Bashkisë, e cila konsiderohej nga specialistët dhe arkitektët si një nga ndërtimet më të bukura që përmbyllin dhe sheshin e rrugët kryesore të Tiranës që takoheshin të gjitha aty.
Kjo gjë, pra riorganizimi i qëndërs së Tiranës u ruajt në atë gjëndje deri pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur dhe u morr vendimi (nga pasardhësi Ramiz Alia) e aty u vendos monumenti madhështor i tij që u rrëzua nga protestat masive të qytetarëve të Tiranës e të tjerë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vëndit, më 20 shkurt të vitit 1991.
Por duhet thënë se edhe para vendosjes së monumentit të Enver Hoxhës aty në vitin 1987, sheshi Skënderbej” dhe në qëndrën e Tiranës pati edhe ndërhyrje të tjera, siç ishin ato në vitin 1982-1983, por ato ishin kryesisht të karakterit nëntoskor dhe nuk ia prishën pamjen sipërfaqësore atij sheshi.