Papa Leoni XIV ishte sot pasdite në qytetin jashtë Romës për të vizituar privatisht vendin e adhurimit të pranisë augustiniane, ku ruhet figura e Zojës ardhur aty nga Shqipëria në prag të pushtimit nga turqit.
Papa përshëndeti njerëzit në shesh dhe u lut para figures së Virgjërës Mari, që njihet edhe me emrin Zoja e Shkodrës.
Kam dashur shumë të vija këtu, në këto ditë të para të Shërbesës së re që më dorëzoi Kisha, për të çuar përpara misionin si Pasardhës i Pjetrit.
Për daljen e tij të parë të palajmëruar, Papa Leoni XIV zgjodhi një vend simbolik tejet të dashur për shqiptarët, shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenancan, jashtë Romës, ku ndodhet fugurja e Zojës, ardhur nga Shkodra e pritur pikërisht nga augustinianët, që shërbejnë në atë kishë, në urdhërin e të cilëve bën pjesë edhe Ati i Shenjtë. Papa mbërriti sot pasdite, rreth orës 16.00.
Kujtojmë se fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë ishte veçanërisht e dashur për paraardhësin me të njëjtin emër të Papës aktual, për Papën Leoni XIII, i cili nuk arriti ta vizitonte kurrë, por që në vitin 1903 e ngriti kishën në dinjitetin e një bazilike minore.
Edhe Papë të tjerë kanë shkuar për t’u lutur te Nëna e Këshillit të Mirë: Papa shenjt Gjoni XXIII në vitin 1959 dhe Papa shenjt Gjon Pali II në vitin 1993, para se të nisej për në Shqipëri, ku pikërisht në Shkodër çoi kopjen e fugures së Zojës.
Përshëndetja e njerëzve dhe lutja për Zojën
Sot pasdite, Papa Leoni XIV mbërriti me një makinë Volkswagen, i ulur në sediljen e përparme; u përshëndet nga një turmë brohoritëse me qindra njerëz, që u mblodhën menjëherë në shesh, ose shikonin nga dritaret dhe ballkonet. Pasi hyri në kishë, ku përshëndeti besimtarët, Papa u ndal për t’u lutur, fillimisht para altarit dhe më pas para fugures së Nënës së Këshillit të Mirë. Me të pranishmit, tha lutjen e Gjon Palit II drejtuar Nënës së Këshillit të Mirë.
Në duart e Shën Marisë
Së fundi, pas lutjeve “Falemi Mari” dhe “Të falemi Mbretëreshë”, Papa iu drejtua të pranishmëve në kishë, duke i përshëndetur ata dhe popullin e Gjenacanit të mbledhur jashtë: “Desha shumë të vija këtu në këto ditë të para të shërbesës së re, që më besoi Kisha, për të çuar përpara këtë mision si Pasardhës i Shën Pjetrit”.
E duke kujtuar vizitën e bërë pas zgjedhjes së tij si epror i përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, dhe dëshirën për t’ia “ofruar jetën Kishës”, Leoni XIV theksoi “besimin në Nënën e Këshillit të Mirë”, shoqe udhe e “dritës, urtisë”, me fjalët që shën Maria u tha shërbëtorëve në Dasmën e Kanës, përmendur në Ungjillin sipas Gjonit: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Më pas, Papa e krejt bashkësia e augustinianëve shkoi në një sallë të brendshme për një takim privat.
Ja lutja e shën Gjon Palit II për Nënën e Këshillit të Mirë, shqiptuar sot nga Papa Leoni XIV:
O Virgjër e Këshillit të Mirë
Ty të lartohet lutja e popullit të krishterë, që gjithmonë të do dhe të nderon.
Sot, ty t’i beson shpresat dhe hidhërimet, dëshirat dhe nevojat,
lotët e shumtë të derdhur dhe etjen për një të ardhme më të mirë.
Ktheje, o Nënë, vështrimin tënd mbi këtë popull,
pranoja ndjetet bujare, shoqëroje në rrugëtimin drejt një ardhmërie në drejtësi, solidaritet dhe paqe.
Ti, o Nënë, që e njeh rrugën e jetës dhe e di mirë ç’dëshiron zemra e njeriut,
nuk i jep atij ideologji të gabuara dhe kalimtare, por personin e Birit tënd Jezus – Rruga, e Vërteta dhe Jeta,
nga i cili rrezatohet misteri i Zotit dhe i njeriut.
O Nëna e Këshillit të Mirë, hapi mendjet dhe zemrat,
siguroja mbarë njerëzimit dhuratën e harmonisë dhe të paqes.
Amen.


