Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Kosovë, ku një makinë e policisë me dy persona brenda ka rënë në lumë nga një lartësi e madhe.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën Kaçanik–Hani i Elezit, ku makina e policisë pasi ka thyer barrierat e një ure ka rënë në lumin Lepencë. Dy policët rezultojnë të zhdukur.
Sipas Klan Kosovës, makina ka rënë nga një lartësi prej mbi 100 metrash dhe është shkatërruar plotësisht.
Për orë të tëra mbrëmjen e së shtunës, polumbarët, Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe ekipet e zjarrfikëseve kërkuan për trupat e dy policëve, por pa rezultat. Kërkimi për dy të zhdukurit pritet të rinisë sërish ditën e sotme.
Media kosovare raporton se në makinë, në momentin e aksidentit ndodheshin policët nga Kaçaniku, Malësor Dashi dhe Armend Trena.




