Pak minuta para se mbrëmja të mbyllej me performancën e vëllezërve Endri dhe Stefi Prifti, spektakli “C’est la vie” në Tv Klan u ndërpre dhe transmetimi kaloi nga studio e informacionit. Reis Çiço lajmëroi se kompozitori i njohur Aleksandër Lalo është ndarë papritur nga jeta nga një atak kardiak. Për respekt të tij, spektakli, i regjistruar dy ditë më parë, është ndërprerë për të vijuar javët e ardhshme, tha Reisi duke dërguar ngushëllimet e këtij ekrani pranë familjes së kompozitorit Lalo.
Të gjithë konkurrentët e spektaklit, miq, dashamirës dhe bashkëpunëtorë të tij, kanë nisur të ndajnë dhimbjen për këtë humbje të papritur edhe nga profilet e tyre sociale.
Aleksandër Lalo është një figurë e shquar e muzikës shqiptare. Ai ka kompozuar muzikën e shumë filmave të njohur të kinematografisë shqiptare, por gjithashtu ka konkurruar edhe në shumë festivale, nga të cilat është vlerësuar me dhjetëra çmime.













