Policia ka arrestuar në kohë rekord autorin e vrasjes së 32-vjeçarit Elsi Kosiqi orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Maqellarë të Dibrës në oborrin e shtëpisë së tij.
Sipas policisë, dyshohet se shkaku i vrasjes ishte për motive të dobëta. Megjithatë ngjarja ende nuk është zbardhur e plotë.
I arrestuari si i dyshuar për vrasjen e 32 vjeçarit Elsi Kosiqi është MAHMUT GEGA banues në njësinë administrative Shupenzë.
Ngjarja
Elsi Kosiqi, babai i tre fëmijëve u ekzekutua pas mesnatës në derën e shtëpisë në Dibër. 32-vjeçari kishte shkuar mëngjesin e djeshëm në Dibër të Madhe ku kishte qëndruar me disa shqiptarë dhe një shtetas maqedonas gjatë gjithë ditës, deri në mesnatë. Në orën 1:30 ai është kthyer në banesë, por sapo ka parkuar makinën në derë të shtëpisë është qëlluar me tre plumba nga një person që i ka dhënë dorën dhe më pas i ka drejtuar armën.
Ngjarja ka ndodhur brenda oborrit të banesës, ngjitur me verandën e banesës dhe familjarët dyshohet se e kanë parë ngjarjen, megjithëse nuk kanë dhënë shumë informacion për policinë.
Më pas autorët apo autori është larguar me shpejtësi, duke qenë se shtëpia ndodhet vetëm disa metra larg nga rruga nacionale dhe 500 metra nga kufiri me Maqedoninë.




