Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, e kanë mbyllur vitin së bashku në Lanabregas, aty ku Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 60 banesa të reja për 60 familjet rome, që u prekën nga projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana.
Banesat e reja erdhën si një dhuratë për këto familje, të cilat mbrëmjen e Vitit të Ri do mund ta kalojnë në një shtëpi të ngrohtë.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNDP-në, përfundoi ndërtimin e 60 banesave pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas, të cilat sot, në ditën e fundit të vitit, u janë dhuruar 60 familjeve të komunitetit rom.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që ky projekt përfundoi brenda një kohe të shkurtër, ndërsa falenderoi të gjithë ata që kontribuuan që edhe këto familje ta kalonin Vitin e Ri në një strehë të re.
“Për ne është jetike që ta mbajmë fjalën. E kishim premtuar që Viti i Ri do t’i gjente këto familje në shtëpi të reja. Është e rëndësishme që komuniteti të mos ndihet si mish i huaj, por të përqafohet nga të gjithë fqinjët. Besoj se kemi nevojë për këtë lloj integrimi”, tha Veliaj. Ai u shpreh se standardi i vendosur në ndërtimin e këtyre banesave në Lanabregas do të ndiqet edhe në projektet e tjera sociale të Bashkisë Tiranë, siç është edhe ai i banesave në Shkozë.
Përgatiti: AlpeNews.al