13 vjet pas albumit “Ja ku jam”, Ardit Gjebrea i rikthehet muzikës me një duet që do të sjellë për herë të parë në skenë vajzën e tij, Annën.
Dje, kantautori njoftoi rikthimin përmes një postimi në Instagram, ku zbuloi se kënga po përpunohet në studion e Darko Dimitrov-it dhe se nuk është vetëm, por me vajzën e tij 8 vjeçe, e cila kohët e fundit ka qenë pjesë e një koncerti për festat kombëtare.
“Në studion e Darko Dimitrov”, shkruan Gjebrea, “Sepse këtë herë i rikthehem dashurisë: këngës, me një duet. E me kë tjetër? Me Anna Gjebrean!”
Gjithashtu, ai la të kuptohet se kjo këngë do të debutojë në skenën e “Këngës Magjike”, në datat 6, 7 dhe 9 dhjetor.
Ardit Gjebrea, që në vitet ’90 u bë i njohur si një kantautor modern, duke sjellë një muzikë të re që ndërthurte rrymat perëndimore me muzikën autentike shqiptare, nuk ka publikuar asnjë album të ri që prej vitit 2004. Atëherë “Ja ku jam” shënoi gjithashtu një rikthim, 7 vite pas “Projektit Jon”.
Edhe pse gjatë kësaj kohe ka qenë në drejtimin e “Këngës Magjike”, Gjebrea nuk është ngjitur në skenë për të kënduar këngë të reja.
Aktiv në rrjetet sociale, na ka treguar disa herë se e bija Anna ka trashëguar zërin dhe pasionin e tij për muzikën. Dje, publikoi në rrjetet sociale një video të sajën teksa këndonte në një koncert të shkollës një këngë patriotike.