Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta shpreh shqetësimin e lartë për planet e ndërtimit të një qendre urbane dhe shkatërrimin e Parkut Kombëtar, të zonës Ramsar të Lagunës së Karavastasë, zonës Emerald, zonës së rëndësishme për shpendët, epiqendrës së larmisë biologjike dhe zonave të mbrojtura të Shqipërisë.
Urbanizimi i emërtuar si Master Plani “Divjakë Resort Albania” dhe i propozuar në formën e sotme nga kompania Mabetex Group e Behxhet Pacollit pranë autoriteteve shqiptare nuk është asgjë tjetër vecse një projekt i ri ndërtimi në një Zonë të Mbrojtur që kërkon të përfitojë privatisht nga një pasuri kombëtare e ruajtur prej shekujsh dhe sanksionuar në disa akte ligjore mbrojtëse që e kanë zanafillën që prej vitit 1964.
Projekti i ndërtimit kërkon zënien dhe zhdukjen e 10% të territorit të Parkut ndërkohë që infrastruktura shoqëruese (rrugë, ndricim, rrjet elektrik, dallgethyes. etj) do të ndikojë negativisht në 100% të sipërfaqes së tij.
Projekti kërkon të zaptojë 12 km të vijës bregdetare, të ndërtojë në tokë publike 2400 apartamente, 370 vila, një resort turistik prej 90 ha dhe një qytet për 18,000 banorë. Kjo qendër e re urbane është për nga popullsia sa dyfishi i qytetit të Divjakës ndërkohë që ka një shtrirje shumë më të gjerë.
Procedura e ndjekur deri më tani për paraqitjen e para publikut është e gabuar dhe përpiqet të fshehë karakterin shaktërrues të këtij projekti.
Projekti i kërkon qeverisë shqiptare të shkelë më të dy këmbët ligjin duke lejuar ndërtim në Zonën Qëndrore të Parkut Kombëtar.
Projekti është në kundërshti të plotë me Konventën e Ramsarit, Konventën e Bernës dhe me Konventën e ESPOS.
Projekti i paraqitur do të sjellë jo vetem shkatërrim të ekosistemit, habitateve përbërës dhe gjallesave të egra por edhe shkatërrim të ekonomisë lokale e kryesisht asaj të peshkimit.
Ai do përshpejtoje ndotjen e ekosistemit nepermjet intensivizimit të bujqësisë.
Ky projekt është shkatërrimtar, i paligjshëm dhe duhet ndalur, edhe pse Pacolli e ka paraqitur atë si një project spektakolar dhe që do të krijonte mijëra vende pune për banorët e zonës dhe jo vetëm.





