Një tragjedi ka ndodhur në maternitetin Alto Vicentino në Santorso, ku një i porsalindur, fëmija i tretë i një gruaje nga Gana, ka vdekur rreth gjashtë orë pas lindjes me prerje cezariane për shkak të komplikacioneve kardiake.
Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik, por vetëm sot është zbuluar. Prokurori i Përgjithshëm i Vicenza ka nisur hetimet për tre gjinekologë dhe dy mami të cilët kanë qenë në procesin e lindjes, apo kanë marrë pjesë në ndërhyrjet për t’i shpëtuar jetën foshnjes.
Gruaja u shtrua në maternitet mbrëmjen e 11 korrikut, teksa ishte në javën e dyzetë të shtatzënisë, pasi i kishin filluar dhembjet e lindjes.
Ajo që i nxiti mjekët që të ndërhyjnë urgjentisht me prerje cezariane ishte një dekompensim i rrahjeve të zemrës së fetusit.
Edhe pse fëmija u fut në inkubator, përpjekjet për ta mbajtur gjallë nuk mjaftuan.